TIRANË- Kryeministri Edi Rama vijon replikat e tij me gazetarët, por nëse Blendi Fevziun e etiketoi me emër dhe mbiemër në disa postime në rrjetet sociale, Klodiana Lalës ka vendosur që t’ia fshijë identitetin, duke u marrë vetëm me postimin që ajo ka bërë në lidhje me situatën e përmbytjeve.
Duke iu referuar deklaratave të Ramës, se përmbytjet kanë ndodhur si pasojë e plehrave që hidhen pa kriter, gazetarja Lala kishte shkruar në rrjetet sociale: O mbret (qe je lakuriq) po te funksiononte inceneratori i Tiranes kete malin me plehra do e kishte djegur… (Milionat jane vjedhur e ti ben propagande me ne).
Rama, duke fshirë emrin e Lalës, në një reagim të bërë sot në X, shkruan: Komentatori-torja është gazetar-tare të cili-cilës ia hoqa emrin se nuk më intereson asfare polemika personale, po fakti skandaloz që një zëdhënës-nëse e opinionit publik, me një injorancë të ububushme (nuk flas për etikën apo për shqipshkrimin se pastaj i bie të rritet shumë kërkesa) u thotë qytetarëve se inceneratori i Tiranës e ka fajin për shishet e qeset plastike që hidhen rrugëve të Shqipërisë, e që me erën e pastaj me ujrat e lumenjve bëhen kapica të jashtëzakonshme e zbresin e bllokojnë rregullisht grykërrjedhjet e kanaleve kullues apo ndotin plazhet e detet…
PRA SIPAS TIJ/SAJ HIDHINI PLEHRAT KU TË MUNDENI SE FAJIN E KA INCENERATORI I TR. Normalisht një gazetar nuk urren, nuk shpif, nuk dizinformon, po lexon, informohet dhe informon, por fatkeqësisht lloji i parë shtohet e shtohet (tamam si prurjet e plastikës) në kanalet e informimit, ndërsa lloji i dytë pakësohet dhe publiku përmbytet përditë nga prurjet e urrejtjes, shpifjes e dizinformimit! Kollaj, të urresh, shpifësh, dizinformosh është kollaj, sepse nuk ka nevojë të lexosh, të mësosh, të kuptosh të vërtetën e të jesh i drejtë dhe i mirëartikuluar, ndërsa e kundërta, uh, e kundërta ka punë e mund të madh.
Kryeministri Rama, ka zgjedhur që situatën e vështirë që shkaktuar përmbytjet në vend, të devijojë në replika dhe komente me gazearët, ndërsa deri tani ka refuzuar që të jetë pjesë e intervistave, ku do të mund të jepte ‘’logari” përpara tyre, në lidhje me investimet që janë bërë ose jo në rrjetet e ujësjellës kanalizimeve. Prej më shumë se një jave, mijëra hektarë tokë janë përmbytur në të gjithë vendin, ndërsa dëmet në banesa dhe biznese janë të konsiderueshme. Rama në postimet e tij, ka bërë përgjegjës edhe qytetarët, që sipas tij hedhin mbetjet vend e pavend, duke kontribuar në bllokimin e kanaleve kulluese në shumë zona të vendit. /ZËRI



