TIRANË- Përplasje dhe debate të forta mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës po shoqërojnë seancën plenare që prej mëngjesit të sotëm.
Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj është përfshirë në një debat të ashpër me deputetin socialist, Erion Braçe. Ky i fundit po fliste nga foltorja e Kuvendit, ndërsa Shehaj ndërhyri vazhdimisht duke drejtuar akuza të forta ndaj mazhorancës.
Përplasja mes tyre nisi pasi Shehaj e quajti Braçen ‘hajdut i vogël’. Kjo deklaratë bëri që Braçe t’i shkonte Shehajt në vendin ku ai ishte ulur në Kuvend, dhe ti kërkonte llogari.
Braçe i tha Shehajt se një deklaratë të tillë e kishte bërë edhe më parë, por sipas tij, deputeti i ‘Mundësia’ i kishte kërkuar më pas falje.
Shehaj: Ti je hajdut i vogël.
Braçe: Atë hajdutin ta kam thënë njëherë, e ke bërë si legen, ke kërkuar edhe falje.
Shehaj: Jo jo, s’të kam kërkuar falje. Je një hajdut i vogël. Je i vogël në gjithçka. Zoti kryetar, merr masa shkova unë te ai hajduti i vogël, apo erdhi ai te unë.
Më pas, reagime të ashpra kanë ardhur edhe nga kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, i cili iu drejtua Shehajt duke e quajtur ‘gjobaxhi i vogël’.
“Gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra. Person që mendon që duke bërtitur dhe shkuar përtej çdolloj norme tha se tregu i karburanteve në Shqipëri kontrollohet nga një subjekt…Ti je një gjobaxhi i vogël… Iu turre një biznesmeni. Siç ua bërë këtyre. I vodhe PD të dhënat e partisë….I ke vjedhur PD të dhënat e anëtarëve dhe u çon edhe mesazhe mos votoni PD”, tha Balla.



