TIRANË- Kryetari i PL-së Ilir Meta bëri lëvizjen e radhës nga qelia, teksa i kërkoi Prokurorisë së Posaçme që të merret në pyetje për “21 Janarin”. Meta ka bërë kërkesën nëpërmjet avokatit të tij, me pretendimin se ka dijeni për ngjarjen dhe dëshmia e tij mund të ndihmojë në zbardhjen e plotë. Lidhur me këtë, kryedemokrati Sali Berisha është shprehur se Meta, asokohe zëvendëskryeministër, sigurisht që mund të dijë detaje për ngjarjen.
“Se çfarë di Ilir Meta, sigurisht mund të dijë se ka qenë zëvendëskryeministër, por Ilir Meta në datën 14 apo 15 janar, pra para 21 Janarit, ka ardhur në zyrën time dhe më ka thënë se unë do jap dorëheqjen sepse unë në prokurori nuk shkoj si zëvendëskryeministër”, thotë Berisha.
Kryedemokrati ka zbuluar për herë të parë një bisedë me ish-deputetin e ndjerë Dritan Prifti, pak ditë para 21 janarit. Biseda mes tyre sipas Berishës, ka ndodhur në një kohë kur ende nuk kishte dalë video e përgjimit mes tijdhe Ilir Metës në zyrën e ministrit të Energjetikës. Sipas Berishës, Prifti i kishte kërkuar ta emëronte në një detyrë më të rëndësishme, përndryshe do të publikonte regjistrimin.
“Sali Berisha kryeministër, së pari kishte dëgjuar Dritan Priftin, ose i ishte kërkuar nga Dritan Prifti ta emëronte në një detyrë tjetër të rëndësishme ose përndryshe ka një regjistrim. Fjala ime ishte kjo: nxirre sapo të dalësh nga dera e zyrës time. Nxirre. Kjo është e vërteta. Kurrë, kurrë nuk më merr dot kush mua peng”, thotë Berisha.
Kujtojmë se protesta e 21 janarit 2011 u thirr pas publikimit të një video mes ish-ministrit të ndjerë Dritan Prifti dhe Zv. Kryeministrit Ilir Meta në atë kohë, ku bëhej fjalë për një korrupsion prej 700 mije eurosh. Video-skandali u publikua në emisioni investigative “Fiks Fare” ku Ilir Meta, ndodhej në zyrën e ministrit (të atëhershëm) të Ekonomisë dhe i kërkon favore për një tender hidrocentrali dhe disa afera të tjera korruptive. Në bisedë përmenden përqindje apo shifra për 700 mijë euro që sipas Prifti i ishin ofruar në këmbim të nje licence hidrocentrali. Videoja ishte regjistruar nga vetë Dritan Prifti më 1 mars 2010. Ish-ministri për të bërë përgjimin kishte përdorur një orë tavoline e cila mund të gjendej lehtësisht në internet.
Meta prej asaj kohe e quajti videon të montuar, ndërsa sot pas 14 vitesh mban të njëjtin qëndrim, ku në një intervistë për ‘Syri.tv’ shprehet se përmendja e 700 mijë eurove në videon e 2011 kishte të bënte me shumën e harxhuar nga investitorët për projektet e dorëzuara në ministri për ndërtimin e 2 hidrocentraleve, për të cilat sipas tij u ishte premtuar mbështetja nga ish-ministri, i cili nuk u kthente më përgjigje. Sipas tij, vrasjet e katër protestuesve më 21 janar 2011 kërkojnë një hetim shterues, gjithëpërfshirës dhe përfundimtar. Meta kërkon që hetimi të mos kufizohet vetëm tek vrasjet, por të shtrihet edhe tek mosparandalimi i dhunës, që sipas tij ishte paralajmëruar publikisht.
Ilir Meta: Çuditërisht, Prokuroria e Përgjithshme nuk e çoi te një ekspert audio, por te një ekspert video (kompjuterash) a thua se e kishte vënë njeri në diskutim se cilët ishin personat në video. Por pa dashje eksperti amerikan zbuloi te ora që ekspertoi edhe shumë video të tjera ku ishin përgjuar edhe shumë politikanë, qeveritarë, gazetarë dhe biznesmenë. Përfshirë këtu edhe një video ku merreshin në mos gaboj 80 mijë euro nga një vartës i tij në shtëpi, për të cilën nisi edhe një procedim penal. Ndërsa përmendja e 700 mijë eurove kishte të bënte me shumën e harxhuar nga investitorët për projektet e dorëzuara në ministri për ndërtimin e 2 hidrocentraleve, në mos gaboj, për të cilat u ishte premtuar mbështetja nga ish-ministri, i cili nuk u kthente më përgjigje. 21 Janari në bindjen time të plotë ishte një përzierje e papërgjegjshmërisë së politikës vendase dhe ndikimit të agjenturave të huaja në institucionet vendase të sigurisë dhe zbatimit të ligjit.
Çfarë ndodhi më 21 janar?
Një protestë e thirrur nga Partia Socialiste, asokohe në opozitë doli jashtë kontrollit dhe do të përfundonte me vrasjen e Ziver Veizit, Faik Myrtajt, Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës para Kryeministrisë, pas të shtënave me armë zjarri ng Garda e Republikës. Partia Demokratike, në qeveri do e cilësonte tubimin si grusht shtetit dhe krim shtetëror. Nga 2011 deri më sot, dosja e 21 janarit është ende në gjykatë. Në lidhje me ngjarjen u morën të pandehur Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, ndërsa gjykata vlerësoi me vendim se vrasjet kanë ndodhur nga pakujdesia. Të dy të pandehurit u dënuan, Ndrea Prendi me 1 vit ndërsa gardisti Agim Llupo me 3 vite burg. Familjarët e viktimave prej 13 vitesh kërkojnë drejtësi ndërsa akuzat politike rishfqen para çdo fushate elektorale.
Hetimet për 21 janarin 2011 nisën pas kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës, të cilët kërkonin që këtë çështje ta hetonte SPAK. Alfred Shehu është prokurori i SPAK, i cili do të hetojë çështjen e 21 janarit. Në mesin e personave që akuzohen nga familja si përgjegjës për vrasjen e Aleks Nikës, janë edhe drejtuesit më të lartë të shtetit, ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-ministri i brendshëm Lulzim Basha./ZËRI




