Nuk u dha anëtarëve të Këshillit të Imunitetit provat për Ballukun, Kuvendi: Sekret hetimor, në kasafortë!


Nuk u dha anëtarëve të Këshillit të Imunitetit provat

foto ilustrim: belinda balluku-kuvendi

TIRANË- Këshilli për Mandatet dhe Rregulloren do të mblidhet ditën e premte në orën 10:30 për të shqyrtuar kërkesën e SPAK, lidhur me heqjen e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku, me qëllim arrestimin e saj. Ndërkohë, mësohet se gjatë ditës së sotme kyeparlamentari Niko Peleshi u ka shpërndarë anëtarëve të Këshillit kërkesën e SPAK, por jo USB-në me prova të Prokurorisë për Ballukun. 

Në një reagim zyrtar, Kuvendi bën me dije se materiali me karakter ‘sekret hetimor’ ndodhet në kasafortën e specialistit të protokollit për dokumentacionin e klasifikuar. Kuvendi thekson se kjo çështje do të dhe mënyra e njohjes me këtë informacion do të diskutohen në mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, në prani të prokurorit të SPAK-ut.

Deklarata e plotë e Kuvendit

Kuvendi i Shqipërisë, në zbatim të dispozitave kushtetuese dhe të Rregullores së Kuvendit, si dhe të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si edhe të urdhrit të prokurorit të çështjes “Për ruajtjen e sekretit hetimor dhe ndalimin e publikimit të akteve”, Kryetari i Kuvendit ka nxjerrë Urdhrin nr. 41, datë 16.12.2025, për thirrjen e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.

Administrata e Kuvendit (Sekretaria e Këshillit) u vuri në dispozicion anëtarëve të këtij Këshilli aktet procedurale përkatëse, si edhe kërkesën dhe urdhrin e prokurorit për ruajtjen e sekretit hetimor, me detyrimin e shprehur që këto dokumente të mos bëhen publike.

Materiali me karakter “sekret hetimor”, në zbatim të Urdhrit të Prokurorisë së Posaçme, datë 16.12.2025, “Për ruajtjen e sekretit hetimor dhe ndalimin e publikimit të akteve”, i nxjerrë në mbështetje të neneve 103, 104 dhe 279 të Kodit të Procedurës Penale dhe nenit 295/a të Kodit Penal, mbart detyrimin e Kuvendit për zbatimin e këtij urdhri në ruajtjen e sekretit hetimor dhe ndalimin e publikimit ose shpërndarjes së akteve të tilla.

Materiali me karakter “sekret hetimor” ndodhet në kasafortën e specialistit të protokollit për dokumentacionin e klasifikuar. Kjo çështje dhe mënyra e njohjes me këtë informacion do të diskutohen në mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, në prani të prokurorit të SPAK-ut.

Gjejmë rastin të ritheksojmë edhe një herë, për të gjithë deputetët që janë vënë në dijeni, detyrimin për zbatimin e rreptë të ruajtjes së sekretit hetimor, në përputhje me urdhrin e prokurorit të çështjes. Të gjitha veprimet e deritanishme të Kuvendit janë të bazuara dhe në zbatim të Kushtetutës, Rregullores së Kuvendit dhe urdhrit të prokurorit.

Ditën e premte, Këshilli i Mandateve i cili përbëhet nga 10 anëtarë, 5 mazhoranca dhe 5 opozita, do të shqyrtojë kërkesën e SPAK ndaj Ballukut. Ky Këshilli brenda 2 javësh harton raportin që u shpërndahet deputetëve, ku rekomandon miratimin ose rrëzimin e saj. Në fund kërkesa futet si pikë e parë e rendit të ditës në seancën plenare. Kuvendi me shumicë votash voton ose jo heqjen e autorizimit./ZËRI

Poll



Source link

Scroll to Top