DIBËR-Kryeministri i vendit, Edi Rama, gjatë një takimi me fokus “Punët e Shqipërisë” në Dibër me strukturat e Partisë Socialiste, ka deklaruar se opozita në vendin tonë ka kërkuar bllokimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Rama pretendon se disa miq të huaj i kanë treguar raste kur përfaqësues politikë nuk ndalen së kërkuari bllokimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.
“Kjo që i çon në verbëri, në gjëra që janë të pamundura, sesi mund të degradojë njeriu publik, që ka diçka sado të vogël në dorë, në pikën që t’i turret vendit të vet, jo neve, vendit të vet. Më ndodh, nuk di çfarë të them, por ndihem keq. Miq të huaj më thonë: si ka mundësi që vijnë nga Shqipëria njerëz, përfaqësues të popullit, edhe pse nga krahu tjetër, dhe nuk lënë gjë pa thënë, nuk ndalen së kërkuari nga ne që të bllokojmë Shqipërinë. Të shkosh dhe të thuash ‘bllokojeni Shqipërinë’, këtë gjë nuk e ka bërë asnjë tjetër. Ne të kujdesemi që ata që na kanë dhënë mbështetjen, të dinë të vërtetat,”- tha Rama./ZËRI



