TIRANË- Kryeministri Edi Rama renditi disa nga sukseset e Belinda Ballukut në krye të ministrisë së Infrastrukturës, teksa shtoi se meriton respekt për punën që ka bërë. Rama theksoi se nuk është ‘avokati i askujt’, duke nënvizuar se fajësinë apo pafajësine, e përcakton vetëm sistemi gjyqësor.
Sipas Ramës, Ballukun e duan në burg si gjyshi i saj, Beqir Balluku, në kohën e komunizmit, pa pasur të drejtë që të mbrohet.
“Në 2022 u përmbyll reforma e parë e ujit, reduktuam shoqëritë nga 58 në 14. Në 2024 nisëm subvencionimin e ujit për kategori të caktuara. Kemi zhvilluar sisteme digjitale për monitorimin e ujit, kemi përfunduar projekt për digjitalizimin e shërbimit. Furnizimi me ujë 24 orë, arkëtimet kanë shkuar në nivel rekord me 11.2 miliardë lekë në 2024, rritje me 13 përqind. Pagesa e faturave të energjisë ka arritur në 93 përqind. Shoqëritë e ujësjellës kanalizimeve, janë shëndoshur financiarisht, mund të kalojmë në fazën tjetër të reformës. Kanë përfunduar 200 projekte, janë edhe 80 në kantier. Dy sektorë strategjikë që Balluku ka drejtuar në ministrinë e Infrastrukturës, nga tenxheret do gjuhet dhe do pështyhet si të ishte fletë lavdërimi. Faktet janë fakte. Për mua, për ne, këto nuk janë faktet e pafajësisë apo amnistisë. Nuk e përcaktojnë as të gjitha tenxheret bashkë, fajësinë apo pafajësinë e përcakton sistemi gjyqësor. Për këto fakte, arritje, që të gjithë ata që kanë bërë detyrën e tyre, edhe ministrja e Infrastrukturës, meritojnë vetëm respekt. Njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, e kanë gjykuar pa gjyq, dënuar pa i dhënë të drejtë të mbrohet dhe duan ta shohin në burg Belinda Ballukun, u them t’i bëjnë vetes një pyetje, ku ndryshojmë ne, ne sot, apo ku duhet të ndryshojnë shqiptarët e sotëm, pavarësisht bindjeve, nga ata që e donin të pushkatuar gjyshin e saj, të burgosur, të syrgjynosur, pasi iu bëri gjyqin në gazetë, radio dhe u dënua në emër të popullit, pa i dhënë të drejtë të mbrohej. Unë nuk jam avokati i askujt këtu. Kjo është pyetje për të vërtetën e madhe që i takon demokracisë, përballë një sfide. Kjo e vërtetë e madhe quhet prezumimi i pafajësisë, si parakusht absolut i çdo hetimi dhe procesi gjyqësor dhe si vijë ndarëse mes demokracisë dhe diktaturës, mes drejtësisë dhe arbitraritetit”, theksoi Rama. /ZËRI



