Njëri në Shkodër e tjetri në Korçë, Salianji dhe Berisha takim me demokratët në prag fundviti


Njëri në Shkodër e tjetri në Korçë, Salianji dhe

Ervin Salianji, Sali Berisha

TIRANË- Në prag të festave, ish-deputeti Ervin Salianji dhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, duket se kanë zgjedhur skaje të ndryshme të vendit për të takuar demokratët.

Përmes rrjeteve sociale, dy politikanët kanë njoftuar qytetarët për takimet e tyre. Ish-deputeti Salianji ka zgjedhur kryeqendrën e veriut të Shqipërisë, Shkodrën, për të zhvilluar takim me demokratët, takim që do të mbahet në orën 18:00. Po ashtu, lideri demokrat Sali Berisha ka zgjedhur jug-lindjen e Shqipërisë, Korçën, për të zhvilluar foltoren e radhës me demokratët. 

Lidhur me takimin e Salianjit në Shkodër, dega lokale e PD-së në Shkodër kishte një mesazh për strukturat dhe mbështetësit e saj, duke shkruar se takimi po organizohet nga Benet Beci, kryebashkiak i Shkodrës dhe ky takim i shërben Edi Ramës.

“I dashur anëtar i PD Shkodër. Sot, duke spekuluar në emër të PD-së, po tentohet të organizohet një takim me një axhendë tërësisht private, pa asnjë lidhje me Partinë Demokratike. Ky takim organizohet nga Benet Beci dhe falanga e tij dhe për më keq, me mbështetjen edhe të elementëve kriminalë. Dega e PD Shkodër ju bën thirrje ju, si anëtarë të degës, të distancoheni, pasi ky takim i shkon për shtat axhendës së Edi Ramës”,- thuhet në njoftim.

Njëri në Shkodër e tjetri në Korçë, Salianji dhe

Mesazhi nga dega lokale e PD në Shkodër

Prej fundit të nëntorit, në partinë më të madhe opozitare kanë nisur përçarjet dhe akuzat ndaj ish-deputetit dhe krerëve më të lartë të PD, Sali Berisha dhe Flamur Noka. Kujtojmë se Salianji mblodhi më 27 nëntor disa nga përfaqësuesit e PD-së për të diskutuar për situatën politike brenda partisë, si dhe për të gjetur zgjidhjen për rinovimin e PD-së pas humbjeve të njëpasnjëshme në zgjedhje. Më pas ai zhvilloi takime edhe në qytete të tjera të vendit me demokratët, lidhur me forcimin e partisë dhe zgjidhjen që i duhet PD-së aktualisht për një drejtim të ri.

Ndërkohë, Berisha e nisi me foltoret para Kryeministrisë, duke kërkuar rrëzimin e Kryeministrit Rama dhe qeverisë së tij pas skandaleve të njëpasnjëshme korruptive. Më pas, foltoren e zhvilloi edhe në qytetet e tjera të vendit. Gjatë kësaj jave, PD organizoi dhe një protestë kombëtare kundër qeverisë Rama 4.

Akuza, deklarata dhe përçarje…

Megjithatë, debate dhe akuza ka pasur nga të dyja palët. Kryedemokrati Sali Berisha paralajmëroi përjashtimin e Ervin Salianjit, pasi sipas tij, takimi i organizuar nga ish-deputeti në Elbasan u organizua nga Suel Çela. Ai e akuzon Salianjin se po bashkëpunon me krimin dhe se për këtë duhet të mbajë përgjegjësi politike.

“Në të gjithë karrierën time dhe në ditët më të vështira, kurrë nuk kam bërë dhe nuk bëj kompromis me krimin. Nëse e ndjek këtë betejë, pavarësisht çmimit që ka pasur, kam bindjen se ka qenë dhe është veprimi më i drejtë. Vija e kuqe e Berishës ndan qartë bashkëpunimin me krimin. Që një anëtar i kuptuar i Kryesisë dhe i Këshillit Kombëtar të organizojë, së bashku me Suel Çelën, kriminelin më të rrezikshëm, një takim të tillë, është absolutisht e papranueshme dhe kurrë nuk mund të kalojë. Në këtë kontekst, ai që ndërmerr një veprim të tillë ka tejkaluar vijën e kuqe dhe është plotësisht përgjegjës për veprimet e tij. Për sa i përket takimit të Salianjit, kemi pasur disa informacione që pohojnë se Suel Çela ka qenë organizatori kryesor i takimit. Përshëndes të gjithë drejtuesit e PD-së të Elbasanit që bojkotuan takimin e tij”,- shprehej Berisha.

Ndërsa Salianji ka kritikuar ashpër lidershipin e Berishës, duke u shprehur se PD ka vepruar gabim në procesin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit, pa një strategji dhe duke ia lënë në dorë Ramës për të zgjedhur një kandidat. Mosmbajtja e një qëndrimi të qartë në këtë proces, sipas Salianjit, i bashkangjitet gabimeve të PD-së, si në sistemin zgjedhor, lënien e mandateve, etj.

“PD duhet të ringrihet, për të mbushur sheshet. Nëse ne nuk kemi guxim të ndryshojmë veten Shqipëria do ta ketë të vështirë, të ndryshojë. PD po duket që po atrofizohej, nuk po analizonte veten e vet. Sot më vjen mirë që pas fuqisë së demokratëve, PD sot është në një tjetër marsh. Ka më shumë takime, analiza e debat. Në fund, dua të them se ne kemi diskutuar se si PD ka bërë gabime në sistemin zgjedhor, lënien e mandateve, ndarjen territoriale, tek mosvlerësimi i njerëzve që janë votuar tek qytetarët. Por edhe sot PD na paska bërë një gabim tjetër, i jap të drejtë Berishës që tha për Avokatin e Popullit. A duhet vetëm të qajmë për gabimet që bëjmë. Si mundet PD dhe grupi parlamentar të shkojë pa strategji dhe ti japë ramës 15 emra dhe të zgjedhë cilin të dojë. Si mundet PD të mos ketë guximin të thotë që kandidatura jonë do jetë Adriana Kalaja, Skënder Aluci. Si ka mundësi që PD nuk mban qëndrim të qartë…”, shprehej ai.

Ndërsa sa i përket përjashtimit nga partia, Salianji shprehej se askush nuk mund ta përjashtojë nga Partia Demokratike: “Nuk më përjashton asnjë njeri, nuk ndryshon asnjë gjë. Sot është radha për të përjashtuar Ramën”. 

Ndërkohë, kujtojmë se pak ditë më parë, Sekretari i Përgjithshëm pranë PD, Flamur Noka, ka hequr nga grupi i kryesisë së partisë në WhatsApp Salianjin. Lidhur me këtë veprim, Ervin Salianji ka bërë një postim të gjatë në rrjetet sociale, ku e cilëson deputetin si aksidentin më të madh politik që PD ka bërë në këto 35 vite.

Duket se ky fundvit po i gjen demokratët më të përçarë se kurrë, ku secili po mban një qasje të vetën të pakthyeshme, dhe lufta duket se po bëhet dita-ditës akoma dhe më e ashpër brenda selisë blu./ZËRI

Poll



Source link

Scroll to Top