TIRANË- Kryeministri Edi Rama mblodhi qeverinë mëngjesin e kësaj të premteje në Kryeministri. Bëhet fjalë për mbledhjen e përjavshme, e shtyrë prej dy ditësh. Mësohet se në mbledhjen që zgjati 30 minuta, nuk kanë marrë pjesë ministrat e rinj të zgjedhur prej tij. Gjithashtu, mbledhjes nuk iu bashkuan as tre ministrat e shkarkuar, konkretisht: Belinda Balluku, Elisa Spiropali dhe Pirro Vengu.
Mbledhja e sotme erdhi vetëm disa orë pas asaj të Grupit Parlamentar të PS-së, ditën e djeshme, ku kryeministri Rama prezantoi riorganzimin me ndryshimet e befasishme në kabinetin qeveritar.
Riorganizimi la jashtë kabinetit qeveritar Belinda Ballukun, e cila mbante dy postet si zëvendëskryeministre dhe ministre e energjisë dhe infrastrukturës. Albana Koçiu, e cila mbante postin e ministres së brendshme, do të jetë numri dy i qeverisë. Ndërkohë, Enea Karakaci do të jetë ministri i ri i Infrastrukturës dhe energjisë.
Besfort Lamallari largohet nga posti i ministrit të Drejtësisë dhe kalon në krye të Ministrisë së Brendshme, duke zëvendësuar Koçiun ndërsa drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë e merr Toni Gogu.
Ish-ambasadori i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha, merr drejtimin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, post që deri tani mbahej nga Elisa Spiropali.
Pirro Vengu është larguar nga Ministria e Mbrojtjes, ndërsa në vend të tij është emëruar Ermal Nufi.
LISTA/ Ndryshimet në qeveri:
Ikën Belinda Balluku- zëvendësohet nga Albana Koçiu
Besfort Lamallari – Minister i Brendshëm- zëvendeson Albana Koçiun
Toni Gogu – Ministër Drejtësie- zëvendëson Besfort Lamallarin
Ferit Hoxha – Minister i Jashtem- ikën Elisa Spiropali
Enea Karakafi- Ministër Infrastrukture dhe Energjitike-zevendëson Belinda Ballukun
Ermal Nufi –Ministër i Mbrojtjes- ikën Pirro Vengu
Eriona Ismaili- Ministër për Marrëdheniet me Parlamentin-zëvendeson Toni Gogun
/ZËRI




