TIRANË- Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, në një konferencë për mediat nga Kryesia e Kuvendit, ka zyrtarizuar kërkesën për shkarkimin e presidentit Bajram Begaj. Sipas Bardhit, me dekretin e nxjerrë për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme për Bashkinë e Tiranës, Begaj ka shkelur Kushtetutën dhe nuk mund të vijojë të qëndrojë më në krye të shtetit. Bardhi u shpreh se Begaj mori përsipër kompetenca që nuk i takonin, duke ndërhyrë kështu në pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese. Po ashtu, Bardhi tha se dekretimi i ministres virtuale “Diella” nga ana e Begajt është bërë në shkelje të ligjit.
“Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike kam dorëzuar sot në protokollin e Kuvendit të Shqipërisë kërkesën për fillimin e procedurës parlamentare për shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës Bajram Begaj për shkelje të rënda, e në mënyrë të vazhdueshme, të Kushtetutës së Shqipërisë. Kërkesa është e argumentuar gjërësisht në një material prej 80 faqesh, të mbështetura mbi 21 prova shkresore prej 224 faqesh, të cilat dëshmojnë se ne jemi plotësisht të vetëdijshëm për rëndësinë e procedurës që kemi inciuar, por po ashtu jemi të bindur se Bajram Begaj nuk mund të vazhdojë të jetë de iuro Kryetar i Shtetit dhe Përfaqësues i Unitetit të Popullit, funksione të cilat de facto i ka humbur prej shumë kohësh tashmë.
Pas një analize shteruese të provave, fakteve, Kushtetutës së Shqipërisë, legjislacionit të brendshëm dhe jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese nga ekspertët ligjorë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, kemi arritur në konkluzionin se Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka konsumuar 7 shkelje të rënda të Kushtetutës dhe Ligjit, të cilat përbëjnë shkaqe të mjaftueshme për shkarkimin e tij nga detyra, në kuptim të nenit 90, pika 2, të Kushtetutës, që parashikon shprehimisht se “Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës ose për kryerjen e një krimi të rëndë. Propozimi për shkarkimin e Presidentit në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit…”, u shpreh mes të tjerave Bardhi.
“Ka tentuar si asnjë president tjetër të zhveshë gjykatën kushtetuese dhe autoritetin e saj nga kompetencat e saj. Bajram Begaj në këtë shkelje ka bërë shkelje të rëndë të kushtetutës. Ka synuar të ngushtojë kompetencat e Gjykatës dhe rolin e saj për shkarkimin e zgjedhurve vendor. Ka futur në ngërç zgjedhjet e pjesshme në bashkinë e Tiranës dhe ka minuar legjitimitetin e tyre duke shkaktuar konfuzion te zgjedhësit. Ka shfaqur mungesë paanësie duke iu nënshtruar vullnetit të kryeministrit.
Shkelja e dytë nga presidenti ka të bëjë me ndërhyrjen brutale në çështjen e mandateve të gjykatësve kushtetues. Në kundërshtim me nenet e kushtetutës, presidenti ka kërkuar ndërprerje të mandateve të anëtarëve të kësaj gjykate. Ky është një cenim i një gjyqtari kushtetues. Më janar, presidenti ka kërkuar nga gjykata të deklarojnë mandatin e disa anëtarëve të kësaj gjykatë”, vijoi Bardhi.
Gjatë denoncimit të tij të gjatë, Bardhi tha se Begaj i ka dhënë të gjitha tenderat e Presidencës kompanisë ku punon djali i tij.
Sipas Bardhit, në këmbim të tenderave, djali i Presidentit rezulton i punësuar fiktivisht në këtë kompani me një pagë sa dyfish i mesatares së punonjësve të kësaj kompanie.
“Në kundërshtim me nenin 11, 86, 88 dhe 89 të Kushtetutës ka krijuar një gjendje permanente konflikti interesi që cënon konkurrencën e lirë në treg, duke i dhënë përfitimet e të gjitha prokurimeve publike të institucionit të Presidentit në fushën përkatëse, kompanisë private ku është punësuar, i dyshuar në mënyrë fiktive, djali i tij, pas emërimit të Begaj si President.
Konkretisht, djali i Presidentit vetëm 23 vjeç rezulton me studime dhe punësime jashtë, rezulton se është i punësuar në një kompani sigurimesh në Shqipëri që rezulton me një pagë që është dyfishi i pagës mesatare i punonjësve në këtë kompani. Rezulton që është i 4 me pagën më të lartë në këtë kompani. Kjo komani aplikon për të fituar tendera në institucionin e Presidentit që drejtohet nga babi i djali dhe rezulton se është 100% fituese e të gjitha tenderave në institucionin e Presidentit. Jemi para një krimi dhe korrupsioni”, tha Bardhi.
Kreu i grupit te PD deklaroi gjithashtu se Presidenti i Republikës Bajram Begaj përveç detyrës së tij si kreu i Shtetit rezulton i punësuar në një klinikë mjekësore private.
Ai u shpreh se Begaj punon “paradite si President dhe pasdite si mjek”.
Presidenti Bajram Begaj dekretoi mbajtjen e zgjedhjeve të pjeshme në Tiranë, në datën 9 Nëntor, pavarësisht se Gjykata Kushtetuese kishte regjistruar ankimimin e Veliajt në lidhje me shkarkimin. Gjykata Kushtetuese u detyrua të bënte pezullimin e dekretit të Begajt, deri në shqyrtimin në themel të ankimimit të Veliajt. /ZËRI



