TIRANË-Ministria e Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari gjatë një konference për shtyp ka njoftuar masat konkrete për sigurinë përgjatë sezonit turistik, kontrollin mbi territorin, rendin publik dhe forcimin e shtetit ligjor. Lamallari u ndal fillimisht në aksionet e zhvilluara së fundmi në Sarandë, ku janë arrestuar disa efektivë, përfshirë edhe kreun e Komisariatit të qytetit bregdetar. Ministri u shpreh se gjoba vendoset si masë e parë dhe më pas referimi në organet e drejtësisë do të zbatohet për këdo që shkel ligjin.
Besfort Lamallari: Bregdeti, nga veriu në jug, mbrojtja e territorit është pasuri kombëtare, u përket shqiptarëve. Nga IKMT janë marrë 67 gjoba, në një vlerë prej 122 milionë lekë, vetëm për një muaj. Sigurisht nga gjobat, kalojmë edhe në referim apo ndjekje penale. Nuk do të neglizhohet asnjë rast, kushdo që shkel uniformën do të përgjigjet një për një para ligjit.
Më tej Lamallari u ndal të sezoni veror, ku u shpreh se është shtuar prania policore në territor, e sidomos në zonat turistike.
Besfort Lamallari: Do të kemi patrullime të veçanta dhe shërbime 12-orëshe gjatë periudhës 1 korrik-31 gusht 2026. Do të ngrihen stacione provizore, pranë zonave me interes të lartë turistik, konkretisht në Theth, Valbonë, Koman, Tale, Gjiri i Lalzit dhe Ksamil. Forcim i kontrollit të trafikut dhe menaxhim i fluksit në pikat e kontrollit kufitar si dhe shtim i sporteleve të përpunimit të pasagjerëve në porte dhe aeroporte.
Ministri po ashtu njoftoi se masa janë marrë edhe sa i përket veprimtarisë së paligjshme të kanabisit, ku theksoi se Shqipëria është në bashkëpunim me Guarda di Finanza. Lamallari njoftoi se risi e këtij viti do të jetë përdorimi i një avioni të veçantë që do të përcjellë në kohë reale koordinatat e ndryshuara.
Besfort Lamallari:Një tjetër lajm që vlen të ndahet me ju është bashkëpunimi i mëtejshëm me Guarda di Finanza, në sajë të kontrollit të territorit, sa i përket veprimtarisë së paligjshme të kanabisit. Nga 1 maji 2026 deri më 31 tetor, janë planifikuar në total 200 orë fluturimi, me 20 orë shtesë nga viti i shkuar, ku konkretisht risi do të jetë përdorimi i një avioni të veçantë që do të përcjellë në kohë reale koordinatat e ndryshuara.



