Nga ligjet te Kushtetuta, llojet e referendumeve në Shqipëri: Si do të vendosin qytetarët!


Nga ligjet te Kushtetuta, llojet e referendumeve në Shqipëri: Si do

Foto ilustruese

TIRANË- Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla adresoi sot mungesën e një ligji për referendumet në Shqipëri. Më tej, ai shtoi se janë hedhur hapat për të miratuar këtë ligj në mungesë dhe tashmë një drat është gati.

Referendumi është një mjet i demokracisë direkte që shërben për të transferuar fuqinë vendimmarrëse nga partitë politike tek qytetarët. Një e drejtë që buron nga Kushtetuta e cila parashikon ushtrimin e sovranitetit nga populli përmes shprehjes me votë në lidhje me çështje të interesit publik. Referendumi është parashikuar në nenet 150, 151/2, 177 dhe 108, pika 4 të Kushtetutës.

Me miratimin e ligjit për referendumet, qytetarët shqiptarë do të kenë të drejtën e vendimmarrjes për për çështje, projektligje apo marrëveshje që ndikojnë në organizimin e shoqërisë.

Sipas Kushtetutës, të paktën 28 deputetë, qeveria ose 50 mijë zgjedhës kanë të drejtën të kërkojnë mbajtjen e një referendumi. Sakaq, 2/3 e deputetëve, ose 94, kërkohet vetëm për referendumet që lidhen me një projekt-amendament të Kushtetutës.

Por çfarë parashikohet në draftin e referendumeve? Janë tre lloje: Kushtetues, të përgjithshëm dhe vendor.

Referendumet e përgjithshme, përfshijnë ato për shfuqizimin e një ligji, ratifikimin e një ligji të rëndësisë së veçantë si dhe referendum për çështje të caktuara të rëndësisë së veçantë. Dy kategoritë e para janë vendimmarrëse, ndërsa në referendumet konsultative, mund të trajtohen çështje me interes kombëtar apo lokal, ku për këtë merret vetëm opinioni i popullit i cili nuk është detyrues për institucionet.

Ndërsa ndryshimet kushtetuese zgjidhen me referendum popullor dhe miratohen vetëm nëse marrin pjesë në votim më shumë se gjysma e qytetarëve me të drejtë vote. Që të miratohet duhet të thotë “po” shumica e atyre që kanë marrë pjesë në votim.

Nga ana tjetër, referendumet këshillimore duhet të marrin pjesë të paktën 30% të zgjedhësve, ndërsa për shfuqizimin e një ligji nevojitet pjesëmarrja e 40% të zgjedhësve dhe votat pro duhet të përfaqësojnë të paktën 30% të elektoratit.

Referendumi kombëtar apo vendor organizohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ndërsa data për mbajtjen e tij, njësoj si e drejta për ta shtyrë apo anuluar vendoset nga presidenti i vendit.

Gjykata Kushtetuese verifikon kushtetueshmërinë e referendumit Kombëtar të propozuar, duke mos hyrë në analizë të rëndësisë së çështjes. Çështjet që lidhen me tërësinë territoriale të Republikës së Shqipërisë, me kufizimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, me buxhetin, taksat e detyrimet financiare të shtetit, me vendosjen dhe heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme, me deklarimin e luftës dhe të paqes dhe me amnistinë nuk mund të shtrohen në asnjë referendum.

Ky është vetëm një draf, ndërsa varianti zyrtar do të depozitohet në Kuvend, pasi të ketë përfunduar procesi i konsultimit publik me të gjithë aktorët.

Cilat janë disa nga referendumet e aplikuara në vendin tonë

-Në 6 Nëntor 1994 është zhvilluar referendum i përgjithshëm për projekt kushtetutën e përgatitur në atë kohë. Shumica e zgjedhësve i thanë jo këtij referendumi.

-Më 29 Qershor 1997 u zhvillua referendum i përgjithshëm për formën e qeverisjes me alternativat “Republikë” ose “Monarki Kushtetuese” ku shumica e zgjedhësve zgjodhi formën “Republikë”

-Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë është miratuar në 28 Nëntor të vitit 1998 me anë të referendumit, ku shumica e zgjedhësve i thanë po Kushtetutës së re.

Pra për herë të fundit shqiptarët votuan në një referendum për miratimin e Kushtetutës në vitin 1998 ndërkohë që deri më sot, në vendin tonë nuk janë zhvilluar referendume lokale./ZËRI

Poll



Source link

Scroll to Top