Mançester Siti ka gjithmonë një vëmendje shumë të veçantë ndaj emrave të rinj që mund t’i afrojë pa qenë plotësisht të njohur. Dhe duket se emri që kanë piketuar “qytetarët” është 19-vjeçari Jan Diomand i Lajpcigut, i cili mund të ndryshojë klub për herën e tretë brenda një viti.

Lojtari shpërtheu në radhët e Leganes në vitin e kaluar, ndërsa në verë, Lajpcigu e bleu 19-vjeçarin për 20 milionë euro, duke paguar klauzolën e largimit të anësorit nga Bregu i Fildishtë.
Pep Guardiola raportohet se ka mbetur mahnitur nga paraqitjet e djaloshit dhe ka kërkuar që Siti të investojë për të blerë futbollistin.
Kësisoj, pritet që Mançester Siti të bëjë një ofertë zyrtare për futbollistin, e cila mendohet se do të jetë rreth 100 milionë euro, pasi Lajpcig i ka vendosur atij një klauzolë të lartë largimi.
Një shifër e rëndësishme për këtë futbollist të ri, i cili shihet si një nga emrat që do të lërë shenjë në futbollin botëror në vitet në vijim.
PANORAMASPORT.AL








