TIRANË- Opozita është mbledhur sërish mbrëmjen e sotme e kësaj të hënë përpara Kryeministrisë, në atë që e quajnë ‘Foltore’. I pranishëm ishte dhe vetë kryedemokrati Sali Berisha, i cili ka vijuar akuzat e tij ndaj qeverisë. Gjatë fjalës së tij, lideri demokrat është ndalur te protesta e ditës së nesërme, duke e cilësuar ‘të ligjshme ndaj një qeverie që nga mëngjesi gjer në darkë vetëm vjedh qytetarët e saj’.
Protesta e tretë kombëtare, sipas Berishës, është dita e shqiptarëve për Europën dhe të ardhmen e tyre. Berisha ftoi qyterarët dhe forcat e rendit, që do të jenë në shesh për mbarëvajtjen e protestës, duke iu thënë se duhet t’i bashkohen atyre për të mirën e familjes së tyre si edhe të vendit.
“Jam këtu për t’u zotuar para jush, para shqiptarëve se asgjë në botë nuk do mund të pengojë qytetarët e këtij vendi pa hedhur në Lanë qeverinë e krimit, qeverinë e drogës, qeverinë e hajdutëve, qeverinë anti-shqiptare, qeverinë anti-europiane. Pra nesër është një ditë e madhe. Është një ditë e shqiptarëve për Europën. Është një ditë e shqiptarëve për të ardhmen e tyre. Është një ditë e shqiptarëve për prosperitetin e tyre, për begatinë e tyre, për lirinë e tyre. Ndaj dhe nesër ftoj qytetarët e Tiranës, këtij qyteti të bekuar, të dalin të gjithë në shesh. Ftoj shqiptarët të bashkohen, të ngremë zërin tonë, zëri ynë të dëgjohet në Bruksel dhe në mbarë botën se asgjë nuk na shkëput nga qëllimi ynë. Nesër, u bëj thirrje forcave të rendit, të marrin vendimin historik, të bashkohen me protestuesit. Bashkohuni me protestuesit, sepse bashkoheni me interesin e vendit tuaj, interesin e familjeve tuaja, me interesin tuaj, me të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve. U bëj thirrje, bashkohuni me protestuesit të shporrim këtë bandë kusarësh që nuk ka pasur kurrë Shqipëria në krye si sot.”, tha Berisha.
Në një konferencë për mediat, kryedemokrati Sali Berisha njoftoi datën e protestës së radhës, më 10 shkurt në orën 17:00. Kjo do të jetë protesta e tretë kombëtare e opozitës, pas asaj të 24 janarit, e cila u mbyll me përplasje dhe akte dhune mes protestuesve dhe forcave të rendit, ku 11 efektivë mbetën të lënduar dhe 18 persona u shoqëruan në Komisariat.
Opozita zhvilloi protestën e parë kombëtare më 22 dhjetor 2025, tubim i cili u shoqërua edhe me tensione, ku në përfundim të fjalimit mbyllës të kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, protesuesit hodhën molotovë drejt kryeministrisë dhe hoqën gardhin metalik. Një qytetar u përfshi nga flakët dhe një efektiv policie u plagos./ZËRI




