TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka mbledhur grupin parlamentar, ku po prezantohen edhe ndryshimet e propozuara ligjore, përmes së cilave synohet që të mos lejohen më gjykatat të pezullojnë nga detyra ministrat, apo postet e tjera. Ndryshimet ligjore të cilat u prezantuan nga kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja mbajnë firmën e Edi Ramës.
Ulsi Manja: Ndryshim nenit 242 të procedurës penale. Më lejoni të bëj një prezantim te nismës. Cfarë propozojmë ne konkretisht. Ky nen ka të bëj me masat ndaluese. Në pikën 1 te këtij neni sqarohen masat ndalues, pezullimi nga detyra, që është një masë gjyqësore që garanton hetimin dhe ndalimin e ushtrimit të veprimtarisë së caktuar që lidhet me atë që shqyrton gjykata. Nuk jemi te e dyta por te pezullimi. Në pikën 1 të këtij neni thuhet, masa e pezullimit nga detyra nuk shtrihet në ligjin elektoral dhe referuar Kodit Zgjedhor, dhe sipas Kodit zgjidhen zgjidhen anëtarët e Këshillit Bashkiak dhe deputetët. Ne propozojmë që në pikën 2 të shtohet dhe rrethi i subjekteve që nuk mund të pezullohen nga detyra. Ne propozojmë që në pikën dy të shtohet rrethi i subjekteve, Presidenti, Avokati i Popullit, Kyeministri zv/kryeministri, ministrat, kreut të KLSH dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.
Çfarë thotë neni 242-Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik
Me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to. Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral.
Ndërhyrja u paralajmërua nga kryeministri lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ku në unanim 8 gjyqtarët u shprehën se imuniteti i ministrit nuk përfshin pezullimin. Gjykata Kushtetuese nuk konsideroi faktin që një ministër ka imunitet njësoj si deputeti dhe nuk mund të pezullohet. Në unanim 8 gjyqtarët u shprehën se ministri nuk hyn në kategorinë e personave të zgjedhur, siç janë deputetët dhe imuniteti i ministrit nuk përfshin pezullimin. Pra, ministrat kanë imunitet si deputetët, por nuk i mbron nga pezullimi nga detyra nëse janë nën hetim.
Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit vendosi për pezullim nga detyra të zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ndalim daljeje jashtë vendit. Gjykata arsyetoi se vendimi erdhi pasi Balluku mund të prishë provat dhe të intimidojë dëshmitarët, në sajë të detyrës që mban. Balluku me vartësit e saj akuzohen se kanë paracaktuar fituesit në dy tenderë me vlerë 210 mln euro, atë të Tunelit të Llogarasë 190 mln euro dhe loti 4 i Unazës së Madhe 20 mln euro. Ndërkohë, Balluku është vënë në hetim edhe për të 7 lotet e Unazës së Madhe, një projekt për të cilin janë prokuruar 45.9 miliardë lekë (450 milion euro)./ZËRI



