TIRANË-Ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato i ndodhur në Kuvendin e Shqipërisë së bashku me zyrtarin e KE David McAllister u pyet për nismën ligjore të PS-së që synon ndalimin e pezullimit të ministrave dhe jo vetëm nga SPAK.
Gonzato deklaroi se po i ndjekin të gjitha nismat që kanë lidhje me shtetin ligjor, duke iu referuar këtu propozimeve të PS për ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale. Ambasadori deklaroi se pret që qeveria të konsultohet me ta, teksa theksoi se është e rëndësishme mosprekja e Reformës në Drejtësi, të miratuar në vitin 2016.
“Siç e dini ne i ndjekim nga afër të gjitha nismat që kanë lidhje me shtetin ligjor. Edhe që të mos prekin parimet e Reformës në Drejtësi të vitit 2016. Dhe presim që qeveria shqiptare të konsultohet me ne për çdo iniciativë”, tha Gonzato.
Grupi Parlamentar i PS ka prezantoi, 16 shkurt, nismën ligjore për ndryshimin e nenit 242, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për zv/kryeministren Belinda Balluku. Sipas propozimit të PS-së, në nenin që aktualisht nuk lejon pezullimin nga detyra vetëm të deputetit apo kryebashkiakut do të shtohen edhe 7 subjekte të reja ndaj të cilave nuk mund të shtrihet masa e sigurisë e pezullimit të detyrës. Bëhet fjalë për Presidentin, Avokatin e Popullit, Kryeministrin, zv/kryeministrin, ministrat, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit./ZËRI



