TIRANË- Ministrja Albana Koçiu u është përgjigjur pyetjeve dhe aludimeve të fundit se ndalimi i monopatinave është lënë në harresë. Në një konferencë për shtyp, Koçiu përsëriti sërish se vendimi për ndalimin e monopatinave është i duhuri deri sa të rregullohet infrastruktura për qarkullimin e tyre.
Sipas ministres, vlen të theskohet se ky vendim u mor për shkak të shqetësimeve të paraqitura nga qytetarët dhe për sigurinë e tyre. Lidhur me këtë, Koçiu solli në vëmendje raste të shumta të rreziqeve që kanë pësuar kalimtarët, pra jo vetëm përdoruesit e tyre.
“Është aluduar kohët e fundit që ka një dorëzim nga ana e ministrisë së Brendshme lidhur me moslejimi ne përdorimit të monopatinave. Nëse do më pyesnit sërish nëse është vendimi i duhur, do t’ju them se po për të ndaluar qarkullimin e monopatinave deri në momenti që lëvizshmëria e tyre do të rregullohet siç duhet, e them nisur dhe nga eksperienca e mëparshme si ministre shëndetësie, rastet që referoheshin sidomos tek Trauma sa i përket dëmtimeve fizike nga përdorimi i monopatinave nga përdorimi pa kriter moshe, shpejtësia, dhe aksidentet nuk ndodhin vetëm tek përdoruesit, por dhe tek kalimtarët, vetëm për vitin 2025 deri në muajin tetor kur i bllokuam, kishim mbi 990 raste që merrnin trajtim tek Trauma.
Konsidero këtu që raste të tjera që nuk shkojnë në spital. Pikërisht përpara jetës dhe sigurisë së fëmijëve, qytetarëve të çdolloj moshe, vendimi për t’i pezulluar në një mënyrë të menjëhershme është vendimi më i mirë dhe nuk tërhiqem nga ai vendim. Ne jemi duke punuar, nuk është një çështje kaq e thjeshtë sepse është një gjë të vendosësh shpejtësi, por kërkon një studim të thelluar lidhur me rrugët, infrastrukturën e nevojshme për të lejuar lëvizshmëri të sigurt. Kërkon dhe një kulturë shumë të mirë të përdorimit të tyre.”, tha Koçiu.



