TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka replikuar me shoqatën e gjyqtarëve, të cilët e konsideruan presion mbi drejtësinë, qëndrimin që kreu i qeverisë ka mbajtur për çështjen Balluku. Në një postim në X, kryeministri thotë se gjyqtarët janë palë në këtë proces, dhe gabojnë rëndë nëse mendojnë se ai do të mbyllë gojën përballë cënimit të kompetencave, që po i bëhen sipas tij. Sipas Ramës, ai nuk do të heshtë përballë Shoqatës së Gjyqtarëve, as për kërkesën e tyre për rritje të pagae, që kërkohet të bëhet duke anashkaluar qeverinë e parlamentin. Rama vijon reagimin e tij duke thënë se qeveria dhe shumica parlamentare që ai drejton janë të gatshëm që të komunikojnë në rrugë institucionale me shoqatën e gjyqtarëve, për të adresuar nevojat e sfidat e drejtësisë së re.
POSTIMI I RAMËS
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve paska bërë deklaratë për t’u ankuar për “presionin” tim ndaj Kushtetueses.
Dy mundësi ka këtu: Ose nuk e dinë kuptimin e fjalës presion, sepse nuk i kam parë të ankohen për ca të tjerë, që prej vitesh u këndojnë librin e shtëpisë njerëzve të drejtësisë, ose e dinë që kur ankohen për mua, nuk u hyn gjemb në këmbë, sepse unë jam ai që kam 10 vjet që nuk luftoj me ta, po luftoj për ta – madje duke i përtypur në heshtje, si çështje të pavarësisë reale të shpallur botërisht me Reformën në Drejtësi, edhe jo pak “lajthitje” të dhimbshme të gjyqësorit, në dëm të lirive e të drejtave të njerëzve të këtij vendi dhe të interesave të këtij shteti.
Mirëpo gabon shumë Shoqata e Gjyqtarëve, nëse pret që unë të mbyll gojën e të mos ndaj me publikun opinionin tim, as edhe kur jam vetë palë në një gjyq kushtetues, për shkak se funksioni që mbuloj, me votat e afro 1 milionë shqiptarëve, është goditur në pavarësinë e vet nga një prokuror e një gjykatës dhe rrezikon të gjymtohet për sot e për të ardhmen në shtyllën e vet kurrizore. Jo vetëm kaq, po Shoqata e Gjyqtarëve duhet ta dijë, që do të gabonte po kaq shumë sikur të priste heshtjen time për kërkesën e saj skandaloze dhe të përsëritur, ndaj Gjykatës Kushtetuese, për (ri)rritjen e pagave të gjyqtarëve me vendim gjykate, duke rrëmbyer kompetencat e qeverisë e të parlamentit.
Heshtja ime herën e parë, përpara se sa të merrej ai vendim befasisht i turpshëm, nuk do të përsëritet këtë herë, kur me (ri)kërkesën në fjalë, shoqata e gjyqtarëve po tenton të marrë nga buxheti i shtetit, duke anashkaluar qeverinë dhe parlamentin, një rritje të re prej plot 1600 Eurosh – po po, 1600 Euro plus pagës aktuale – të pagave të magjistratëve e të këshilltarëve të tyre.
Ne ndërkohë, unë dhe qeveria e shumica parlamentare që kam nderin të udhëheq, mirëpresim krahëhapur çdo komunikim institucional me shoqatën në fjalë, për të adresuar nevojat e sfidat e drejtësisë së re, ku parimi i shenjtë i pavarësisë së gjyqësorit, duhet mbrojtur me çdo kusht jo vetëm nga ndërhyrjet e jashtme të kujtdoqoftë, përfshirë dhe mua vetë, po edhe nga krimbi i brendshëm i papërgjegjshmërisë së gjyqtarëve, i cili bren përditë besimin e popullit tek drejtësia.
Shoqata e gjyqtarëve dënoi sot sulmet e kryeministrit Edi Rama, në drejtim të prokurorëve dhe gjyqtarëve, që kanë vendosur pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Në njoftimin për mediat të shoqatës së gjyqtarëve, thuhej se qëndrimi i Ramës është një presion ndaj drejtësisë, dhe një ndërhyrje në sistem, në një kohë që çështja është ende duke u trajtuar nga gjykatat. Shoqata ritheksonte se ndarja dhe balancimi i pushteteve është një nga parimet themelore të demokracisë, prandaj pavarësia e pushtetit gjyqësor, arbitrit final për zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve, përbën një gur themeli për ndërtimin e shtetit të së drejtës.
Që prej pezullimit të numrit 2 të qeverisë, Belinda Balluku, me vendim të Gjykatës së Posaçme, Rama njoftoi se pozicionet që ajo mban në kabinet do të qëndrojnë bosh, dhe lëvizja pasoi me një ankimim në Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit ka marrë në shyqrtim ankimimin, por nuk ka ende një vendimmarrje në lidhje me pretendimet e Ramës, i cili thotë se pezullimi i Ballukut me vendim gjykate cënon mandatin e tij si kryeministër, i votuar nga shumica dërrmuese e qytetarëve. /ZËRI




