Mohammed Ben Sulayem do të jetë edhe për katër vitet e ardhshme presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIA).
Lajmi ishte i pritshëm, pasi në fund askush nuk paraqiti kandidaturë kundër tij, ndërsa u zyrtarizua dje nga asambleja e përgjithshme e mbajtur në Uzbekistan. Ben Sulayem mori mbështetjen unanime të anëtarëve, duke grumbulluar plot 91,5% të votave nga afro 300 klubet që përbëjnë Federatën, pasi të gjithë kundërshtarët e tij potencialë, nga Carlos Sainz te Tim Meyer, si dhe Laura Villars e Virginie Philippot, u tërhoqën gradualisht nga gara për të sfiduar ish-pilotin.
“Falënderoj anëtarët e FIA-s për mbështetjen e tyre me këto numra kaq të rëndësishëm dhe për besimin që më kanë dhënë sërish. Kemi kapërcyer shumë sfida, por sot, këtu, së bashku, jemi më të fortë se kurrë”, u shpreh presidenti i rizgjedhur. “Është një nder i vërtetë të udhëheq FIA-n dhe jam i përkushtuar të vazhdoj të punoj për të, për automobilizmin dhe për klubet tona anëtare në çdo rajon të botës”, shtoi ai.
NJË PROCES ME POLEMIKA Edhe pse rezultati përfundimtar ishte i qartë, rruga drejt rizgjedhjes nuk ka qenë pa polemika. Kandidati më i fortë, Tim Mayer, denoncoi se rregullat e paraqitjes së kandidaturave e pengonin atë të bënte hapin final. Kandidatët duhej të nominonin një nënkryetar për secilin prej gjashtë rajoneve, por lista zyrtare jepte vetëm një opsion për Amerikën e Jugut: Fabiana Eklestone, e cila që në fillim u pozicionua në krah të kandidaturës së Ben Sulayem, duke bllokuar kështu çdo kandidat tjetër. Një prej tyre, zvicerania Laura Villars, e ka çuar çështjen në gjykatat e Parisit, të cilat do të shqyrtojnë vlefshmërinë e zgjedhjeve në muajin shkurt.
PANORAMASPORT.AL









