DURRËS– Partia Demokratike ka përjashtuar dy anëtarët e Këshillit Bashkiak të PD në Durrës. Bëhet fjaë për Dritan Burgija i cili ishte edhe kreu i grupit të këshilltarëve në Durrës, si edhe anëtari Arlind Boshku, i cili mban edhe postin e sekretarit të degës së PD në Durrës. Në vendimin zyrtar, të firmosur edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Nuka, përjashtimi është bërë në mbështetje të statutit të partisë dhe rregullores së brendshme, konkretisht për shkelje të dispozitave që lidhen me etikën dhe integritetin.
Në dokumentin me titull “Për ndryshimet në grupin e këshilltarëve të PDSH në Këshillin Bashkiak Durrës”, theksohet se vendimi bazohet në nenet 24, 40 dhe 48 të statutit të PDSH, si dhe në Kodin e Sjelljes dhe ligjin “Për vetëqeverisjen vendore”.
Po ashtu, në vendim propozohet emërimi i Ardian Mukës si kandidat për kryetar të ri të grupit të këshilltarëve demokratë në Këshillin Bashkiak Durrës.
Burgija dhe Boshku i kanë dhënë mbështetje ish-deputetit Ervin Salianji, në takimet që ka zhvilluar në Durrës, në një kohë kur është caktuar edhe data e garës për kreun e PD-së, më 23 maj./ZËRI



