TIRANË- Komisioni i Ekonomisë ka miratuar mes debateve projektligjin “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, sipas të cilit nuk do të jepet më asnjë koncesion që vjen si ofertë e pa kërkuar. Kjo nënkupton se çdo biznes që propozon të realizojë një projekt të caktuar, duhet të bëjë më parë një shpallje paraprake publike.
Drejtuesja e APP-së, Reida Kashta, është shprehur se projektligji në fjalë është në përputhje të kërkesave të Bashkimit Evropian.
“Propozimi i pakërkuar është hequr, në përputhje të kërkesave të Bashkimit Evropian dhe jo vetëm në këtë drejtim duke hequr fare konceptin e propozimit të pakërkuar”, tha drejtuesja e APP-së Reida Kashta.
Sipas projektligjit që pritet të kalojë për votim në seancë plenare, parashikohet se asnjë kontratë koncesioni nuk do të lidhet pa një studim fizibiliteti, i cili duhet të miratohet paraprakisht nga Ministria e Financave. Kjo e fundit, do të ketë rolin e monitorimin tremujor të zbatimit dhe përgatitjen e raportit vjetor për portofolin e PPP-ve.
E drejta për lidhur kontrata, sipas draftit të ri, i jepet edhe institucioneve kushtetuese e enteve të financuara nga buxheti i shtetit, përveç ministrive dhe pushtetit vendor.
Gjatë zhvillimi të mbledhjes nuk munguan as debatet. Teksa diskutohej projektligji për “Koncesionet dhe partneritetin publik privat”, i cili parashikon kufizime të reja për lidhjen e kontratave, deputeti socialist Erion Braçe, u ndal në nenin 4 të këtij projektligji ku anë parashikuar edhe fushat ku do të jepen koncesione. Bëhet fjalë për fusha që nga infrastruktura, energjia, mjedisi, turizmi, shëndetësia, arsim apo në ndërtim burgjesh. Megjithatë, Braçe ka kontestuar këtë listë, ku renditen edhe burgjet si një opsion që mund të jepen me konçension.
Braçe: “Po lexoj në nenin 4 që është edhe sistemi i burgjeve. Ky është një shërbim publik, me rëndësi kombëtare. Ka të bëjë me sigurinë kombëtare dhe askush nuk mund të çojë nëpër mend që të jepin burgjet me konçension. Po kështu godina të administratës publike që jepen me konçension, atëherë çfarë i mbetet më shtetit, nëse edhe një godinë të një institucioni publik e ndërton një privat? Ca i ngelet më shtetit nëse të gjitha i ndërton një privat. Ky neni 4 është i përafruar apo është i ngjashëm me ndonjë ligj të BE”?
Drejtori i ATRAKO, Emiliano Gjika, ka replikuar me socialistin duke iu përgjigjur shqetësimeve të tij, teksa deklaron se neni në fjalë i këtij projekligji është direktiva e BE-së.
Gjika: “Ky nen është copy paste e direktivës së BE-së”
Ligji i ri për koncesionet dhe partneritetin publik-privat kërkon transparencë të plotë nga të gjitha institucionet, duke bërë publike çmimin e ofertës, listën e çmimeve dhe kriteret e përzgjedhjes./ZËRI



