TIRANË- Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i është drejtuar Këshilli Bashkiak me një letër në lidhje me miratimine buxhetit 2026. Veliaj kërkon që të merret në konsideratë mendimi i tij mbi projketbuxhetin e Bashkisë së Tiranës për vitin 2026, pasi sipas tij, mungesa e konsultimin me kryetarin e zgjedhur ‘do të përbënte jo vetëm një devijim nga standardet e qeverisjes vendore’.
Në letër, Veliaj kërkon zyrtarisht që Këshilli të realizojë konsultimin me kryetarin, ndërsa thekson se çdo dëgjesë publike pa pjesëmarjen e tij nukmund të zëvendësoje konsultimin, si dhe miratimi i buxhetit pa konfirmin e tij do të përjashtonte funksionet e kryetarit.
Letra e plotë: KËSHILLIT BASHKIAK TIRANË
Të nderuar anëtarë të Këshillit Bashkiak,
Ju drejtohem në cilësinë time kushtetuese dhe ligjore si Kryetar i zgjedhur i Bashkisë së Tiranës, për t’ju kërkuar që, përpara shqyrtimit dhe miratimit, të konsultoni dhe të merrni paraprakisht mendimin dhe vullnetin tim institucional mbi projektbuxhetin e Bashkisë së Tiranës për vitin 2026.
Më datë 18 dhjetor, këshilli bashkiak pritet të shqyrtojë dhe miratojë projektbuxhetin e Bashkisë së Tiranës për vitin 2026. Ky moment përbën aktin më të rëndësishëm financiar dhe politik të vitit për një bashki, pasi buxheti është instrumenti kryesor për realizimin e mandatit politik të Kryetarit të Bashkisë, mandat i dhënë drejtpërdrejt nga qytetarët e Tiranës.
Dëshiroj të rikujtoj se, sipas ligjit nr. 139/12015 “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar, ligjit nr. 68/2017 “Për financat e vetëqeverisjes vendore”, të ndryshuar, kuadrit ligjor për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë, si edhe praktikës së konsoliduar të vetëqeverisjes vendore, propozimi i buxhetit është atribut ekskluziv i Kryetarit të Bashkisë. Çdo buxhet që miratohet pa konsultim real dhe substancial me Kryetarin e zgjedhur nuk mund të konsiderohet shprehje e vullnetit politik të qytetarëve, por vetëm një akt formal administrativ, i zhveshur nga legjitimiteti demokratik.
Situata aktuale është veçanërisht shqetësuese. Zbatimi i buxhetit të vitit 2025 ndodhet në një gjendje alarmante, me një nivel realizimi shumë të ulët, në kontrast të thellë me normat e realizimit historik që Bashkia e Tiranës ka pasur gjatë ushtrimit normal të mandatit tim. Ky është një tregues i qartë i paralizës institucionale që po i shkaktohet Bashkisë së Tiranës.
Në këto kushte, miratimi i buxhetit për vitin 2026 pa konsultim me Kryetarin e zgjedhur do të përbënte jo vetëm një devijim nga standardet e qeverisjes vendore, por edhe një vijim i gjendjes së rëndë që pengon realizimin e mandatit tim demokratik, duke cenuar drejtpërdrejt prioritetet qeverisëse të miratuara nga qytetarët e Tiranës.
Për këto arsye, kërkoj zyrtarisht që, përpara shqyrtimit dhe miratimit të projektbuxhetit të vitit 2026:
1. Këshilli Bashkiak të realizojë konsultim institucional me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, në mënyrë që buxheti të reflektojë prioritetet politike dhe programore për të cilat qytetarët më kanë votuar;
2. Të merret në konsideratë se çdo dëgjesë publike e zhvilluar pa pjesëmarrjen ose konfirmimin e Kryetarit të zgjedhur nuk mund të zëvendësojë këtë konsultim, pasi nuk mbart legjitimitet demokratik;
3. Të vlerësohet se miratimi i projektbuxhetit pa u propozuar dhe konfirmuar nga ana ime, në thelb, do të institucionalizonte përjashtimin e Kryetarit të zgjedhur nga ushtrimi i funksioneve të tij kushtetuese.
Kjo kërkesë lidhet drejtpërdrejt me respektimin e vullnetit të qytetarëve dhe me parandalimin e një precedenti, ku organi monokratik i zgjedhur zëvendësohet de facto, në aktin më politik të vitit, nga struktura të emëruara apo të deleguara përkohësisht. Një buxhet i miratuar në këto kushte, pavarësisht faktit se ekziston tashmë një vendim i Gjykatës Kushtetuese për vijimin tim në detyrë, do pasqyronte objektivisht faktin se Kryetari i zgjedhur i Bashkisë po pengohet në ushtrimin e mandatit të tij, me pasoja serioze jo vetëm për qeverisjen vendore, por edhe për rendin demokratik lokal dhe autonominë e vetëqeverisjes.

Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese pranoi ankimimin e Erion Veliajt për shkarkimin e tij nga post i kryebashkiakut të Tiranës. Vendimmarrja në trupën e gjyqtarëve ka qenë 5-3 në favor të rrëzimit të vendimit të Qeverisë që shkarkonte kryebashkiakun e Tiranës. Konkretisht Gjykata vlerësoi se Këshilli Bashkiak dhe Qeveria kanë vepruar në shkelje të Kushtetutës kur shkarkuan Erion Veliajn me argumentin se nuk u paraqit 3 muaj në detyrë. Gjykata arsyetoi se Qeveria ka shkelur të drejtën kushtetuese të Veliajt për një proces të rregullt ligjor, pasi ai nuk është njoftuar dhe nuk është dëgjuar përpara vendimit për shkarkim.
Veliaj ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit. Ai së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për ‘shpërdorim detyre’, ‘pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’, ‘futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim’ dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim./ZËRI





