TIRANË-Një deklaratë e ministres së drejtësisë së Kosovës, Donika Gërvalla, kundër një editoriali të përbashkët të kryeministrit Edi Rama me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ku të dy i kërkonin BE-së një anëtarësim pa të drejta të plota të dy vendeve në Union, mori vëmendjen e mediave, duke ngritur zëra edhe për një masë “non grata”.
Konkretisht më 17 mars, në një intervistë për RTK, Gërvalla u shpreh se qytetarët e Kosovës nuk kanë për t’ia falur këtë qëndrim kryeministrit Rama, duke theksuar se artikulli në median gjermne Frankfurter Allgemeine Zeitung krijon përshtypjen se kryeministri shqiptar ndërhyn në momente të vështira për Vuçiç në raport me Bashkimin Europian. Sipas saj, problem i artikullit është propozimi që Serbia dhe Shqipëria të hyjnë së bashku në Bashkimin Europian.
“Nga ana e kryeministrit Rama, i cili i tejkalon edhe ato kur kemi mbyllur njërin sy në të kaluarën, është artikulli i fundit i publikuar së bashku me Vuçiçin në gazetën prestigjioze gjermane. Unë mendoj që qytetarët e Kosovës nuk kanë për t’ia falur atë artikull kryeministrit Rama, sepse krijohet përshtypja herë pas herë që gjithmonë atëherë kur Vuçiqin BE-ja, Europa e mbështet me shpatulla për muri, del Edi Rama dhe e nxjerr nga ajo situatë. Nuk duhet të ketë për Shqipërinë alternativa me Serbinë që nuk kalojnë nëpër Kosovë. Rruga nga Tirana për Beograd çon nëpër Prishtinë, edhe gjeografikisht, edhe ekonomikisht, edhe në çdo aspekt. Kështu, secili kryeministër apo president shqiptar që e harron këtë ta dini që në afatgjatë ka për të bërë gabime të mëdha që kanë për ta dëmtuar kombin tonë më shumë. Problemi i artikullit nuk është pse Rama me Vuçiçin shkruajnë një artikull të përbashkët, por problem i atij artikulli është që propozimi është që Serbia dhe Shqipëria të hyjnë së bashku në Bashkimin Europian, duke mos përmendur në asnjë rrokje të vetme, pozicionin që ka Serbia në raport me Perëndimin, Rusinë, Kinën, Venezuelën, Iranin dhe forcat botërore që bien ndesh në çdo aspekt me përcaktimet tona për BE dhe NATO por edhe me përcaktimet e Shqipërisë,”-tha ajo në RTK.
Pas kësaj deklarate në media pati raportime se për Gërvallën kishte një urdhër verbal nga ministri Ferit Hoxha që të mos i mundësohej asnjë vizitë zyrtare në Shqipëri. Në artikull u tha se ministri i jashtëm Hoxha mbajti edhe një mbledhje online me ambasadorët e Shqipërisë të akredituar në vendet e rajonit.
Por Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj në një reagim për mediat, theksoi se një informacion i tillë për shpallje “non grata” nuk është i vërtetë dhe nuk mbështetet në asnjë vendim zyrtar. Sipas tij, Ambasada e Shqipërisë në Kosovë nuk konfirmon ekzistencën e një mase të tillë, duke nënvizuar se bëhet fjalë për spekulime që qarkullojnë në media dhe që nuk kanë bazë institucionale.
“Ambasada nuk konfirmon asgjë të tillë. Në media qarkullojnë shpesh hamendësime nga më të ndryshmet, të cilat ne nuk i komentojmë më tej. Nuk ka asnjë vendim apo udhëzim të tillë. Marrëdhëniet tona me Kosovën dhe me qeverinë e saj janë të qarta, të forta dhe gjithëpërfshirëse, siç është theksuar së fundmi edhe nga Ministri Hoxha në bisedën e zhvilluar me Ministrin Konjufca”, ka thënë Malaj për mediat në Kosovë.
Malaj nënvizoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës mbeten të qëndrueshme dhe të konsoliduara, duke i cilësuar ato si të qarta, të forta dhe gjithëpërfshirëse, në vijim të komunikimeve të fundit mes përfaqësuesve të dy qeverive.
Në shkimin e bërë publik, kryeministri i Shqipërisë dhe presidentti i Serbisë shprehin zhgënjimin e tyre për procesin e nisur që nga viti 2013 të intergrimit në BE për Ballkanin Perëndimor ku shkruajnë se: “asnjë anëtar i ri nuk është bashkuar me BE-në.” Ata e kanë cilësuar zgjatjen e procesit si dekurajues për rajonin, duke theksuar se këto territore duhet të shihen nga Brukseli si një hapësirë strategjike për zhvillimet e reja gjeopolitike. Gjithashtu dy lidërat shprehen se politikanë në Berlin Paris dhe në vende të tjera këmbëngulin që reformat e brendshme janë të nevojshme, por sipas tyre kjo nuk është e lehtë. Sipas tyre mbetet e vështirë që vendet e Ballkanit Perëndimor të bindin vendet e tjera anëtare të BE-së për përshpejtimin e proceseve të pranimit. Ata thonë se kjo është e barabartë me mbylljen e derës për vendet që presin të futen në familjen e madhe europiane.
Ky editorial ka ngjallur shumë reagime në media dhe figura politike.




