TIRANË-Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu gjatë një konference për shtyp ka bërë me dije tri prioritetet strategjike të dikasterit që ai drejton. Ministri është shprehur se i pari është fuqizimi i garancive procedurave dhe të drejtave të njeriut në procesin e drejtësisë, i dyti eficenca e sistemit gjyqësor që duhet të rritet në mënyrë domethënëse, dhe aksesi i qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Gogu u ndal edhe tek amnistia penale për të cilën tha se është në pritje të vlerësimit nga Komisioni Europian.
“Është një instrument i politikës sonë penale që është dizenjuar për të adresuar disa problematika, në radhë të parë fuqizimin e të drejtave të njeriut dhe kjo ka të bëjë me situatën që kemi me popullimin në burgje. Do të ndodhë, patjetër! Jemi treguar shumë të kujdesshëm që në të gjithë procesin që kemi të avancimit të vendit drejt anëtarësimit, t’i shqyrtojmë prioritetet sipas rëndësisë. Amnistia është në parlament. Pasi të kemi marrë vlerësimin për Themeloret, do të fillojmë të merremi me amnistinë.”, tha Gogu.
Janë rreth 12 mijë ata që presin të përfitojnë nga miratimi i amnistisë, disa qindra të burgosur që presin lirim, rreth 1000 që presin ulje dënimi, mijëra që presin të lirohen nga shërbimi i plorës apo edhe miraja të tjerë që u shuhet ndjekja penale.
Ministri ka komentuar mbi regjimin e ashpër në burgje ’41 biss’, duke theksuar se kjo masë do të aplikohet në rastet kur të dënuarit përfshihen në aktivitete kriminale brenda institucioneve. Sipas Gogut, nëse ka të dënuar që kontribuojnë në fuqizimin e strukturave kriminale brenda burgjeve, autoritetet nuk do të hezitojnë të përdorin masat e parashikuara me ligj.
“Nëse ka të dënuar të cilët kontribuojnë brenda institucioneve në fuqizimin e strukturave kriminale, s’do hezitohet për të ushtruar këtë masë për të cilën është krijuar”, u shpreh Gogu.
Sa i përket institucioneve të tjera, ministri Gogu tha se po shqyrtohen mundësitë për t’i përmirësuar kushtet apo qoftë edhe për të ndërtuar institucione të reja në përputhje me standardet e Bashkimit Europian. Një tjetër ishin edhe vonesat në shqyrtimin e dosjeve nga ana e magjistratëve.
“Kemi një plan ambicioz sa i takon polit të drejtësisë, ku funksionojnë një sërë gjykatash të rëndësishme, të shkallës së parë, apelet…Nga ana tjetër dua të them që këto vonesa do të duhet të marrin kohë për trajtimin e tyre, ka filluar tashmë. Ka një ulje të vonesës sepse çdo ditë që futet një gjyqtar në sistem, çdo ditë që përmbushet një vakancë ulet volumi i çështjeve. Do shkojmë shumë shpejt drejt afateve që përcaktojnë kodet e procedurës dhe nuk mund t’i neglizhojmë më ata.”, tha Gogu.



