Te Milani askush nuk ka dyshime: Kristian Pulisiç është bërë një pikë referimi, jo vetëm teknikisht, por edhe si figurë udhëheqëse brenda skuadrës. Në fakt, në ambientet kuqezi ai quhet gjithnjë e më shpesh “Kapiten Amerika”, një përkëdhelje që shpjegon më mirë se çdo analizë vlerën e tij për projektin aktual.
Performancat e tij flasin vetë, por në klub janë të vetëdijshëm se lojtarë me cilësitë e tij, qoftë teknike apo karakteriale, nuk gjenden lehtë. Pikërisht për këtë arsye, në zyrat e Milanit prej javësh ka nisur një punë e heshtur, e kujdesshme dhe me objektiva shumë të qarta: zgjatja e kontratës së Pulisiç përtej afatit aktual. Sot sulmuesi amerikan është i lidhur me kuqezinjtë deri më 30 qershor 2027, ndërsa klubi ka edhe një opsion për rinovim njëvjeçar, deri në 2028. Në teori kjo duhet të ofronte siguri të mjaftueshme. Por rasti i portierit Menjan, me një negociatë që u nis me pritshmëri të larta dhe u mbyll me një dështim të papritur, ka lënë gjurmë të forta.
Kësaj radhe Milani nuk dëshiron asnjë rrezik. Drejtuesit, të udhëhequr nga Tare dhe ekipi i menaxhimit sportiv, kanë vendosur të lëvizin shumë më shpejt, duke shmangur çdo skenar ku lojtarë të rëndësishëm futen në vitin e fundit të kontratës pa qartësi për të ardhmen. Objektivi është i drejtpërdrejtë: finalizimi i marrëveshjes me Pulisiç sa më herët që të jetë e mundur, idealisht brenda javëve të para të vitit të ri. Propozimi i Milanit është ambicioz. Klubi dëshiron ta blindojë lojtarin deri në vitin 2030, duke e bërë një nga shtyllat e projektit të ardhshëm. Nga ana e tij, Pulisiç kërkon një rritje të moderuar të pagës: nga 4 milionë eurot që merr aktualisht, ai kërkon të kalojë në 5 milionë. Një kërkesë që nuk konsiderohet jashtë realitetit të tregut, përkundrazi, shihet si e arsyeshme për një lojtar që ka qenë vendimtar në shumë ndeshje të sezonit dhe që ka ngjitur nivelin e skuadrës. Burime pranë klubit bëjnë të ditur se palët janë shumë më afër marrëveshjes sesa duket në sipërfaqe.
Nuk është arritur ende firma, por optimizmi është i dukshëm dhe ndjesia e përgjithshme është se çështja nuk do të zvarritet. Që në fillim të vitit 2026, pritet që të gjitha detajet të jenë të qarta dhe marrëveshja të formalizohet. Një rol të rëndësishëm në këtë proces ka edhe vetë dëshira e Pulisiç për të vazhduar në Milano. Amerikani është përshtatur shpejt në ambientin kuqezi dhe e ka gjetur ekuilibrin e tij edhe jashtë fushe. Ai jeton në Busto Arsizio, në një shtëpi të gjerë me kopsht, larg ritmit të zhurmshëm të qytetit. Ky kombinim mes qetësisë së jetës së përditshme dhe energjisë së “San Siros” ka krijuar një mjedis ideal për të.
Ndërkohë, në horizont klubi ka edhe një çështje tjetër po aq të rëndësishme: gjetjen e një qendërsulmuesi të ri pas largimit të Olivier Zhirud. Merkatoja e janarit pritet të jetë vendimtare për këtë operacion më të ndërlikuar, por drejtuesit e Milanit duan që të paktën dosja e Pulisiç të mbyllet para se të përballen me sfidat e tregut. Në një moment delikat për rindërtimin e skuadrës, rinovimi i “Kapiten Amerika” nuk është thjesht një çështje kontrate: është një mesazh force dhe vazhdimësie. Dhe tek Milan janë të bindur se ky është hapi i radhës për të ngritur një tjetër gur të rëndë në projektin e së ardhmes.
IGLI ÇUTRA-PANORAMASPORT.AL








