Milani ka nisur të lëvizë seriozisht në merkato për të forcuar sulmin, pasi fillimi i sezonit nuk ka qenë bindës nga Santiago Himenez dhe Kristofer Nkunku, të cilët nuk kanë arritur të japin ritmin dhe garantinë e një sulmuesi qëndror të qëndrueshëm. Drejtori sportiv Tare po vlerëson disa opsione dhe në krye të listës janë Robert Levandovski dhe Niklas Fylkrug, dy profile me karakteristika të ndryshme, por të përshtatshme për nevojat aktuale të skuadrës.

Levandovski shihet si një mundësi për verën, duke qenë se kontrata e tij me Barcelonën skadon në vitin 2026 dhe katalanasit kanë mundësi rinovimi. Megjithëse është 37 vjeç, ai vazhdon të shënojë rregullisht dhe nuk përjashtohet ideja që mund të kërkojë një sfidë të re në fund të sezonit. Ndërkohë, pista për Fylkrug duket më e arritshme për janarin. Sulmuesi gjerman, aktualisht te Uest Ham, ka humbur vazhdimësinë dhe mund të jetë i gatshëm për t’u larguar, duke u bërë një objektiv real për Milanin që kërkon forcë fizike dhe prani në zonë.
Drejtuesit kuqezi e konsiderojnë atë si profilin e duhur për të garantuar më shumë alternativë dhe qëndrueshmëri në repartin ofensiv, sidomos nëse Himenez dhe Nkunku nuk arrijnë të kthehen shpejt në formën e tyre më të mirë. Forma jo e mire e Nkunku dhe Himenez, ka detyruar teknikun Alegri që t’I ulë ata në stol, duke formuar dyshen e sulmit Pulisiç-Leao. Një dyshe e improvizuar, duke marrë në konsideratë që si amerikani po ashtu edhe portugezi nuk janë sulmues “9”, që të shërbejnë si pika referimi në majën e sulmit. Situata mbetet e hapur dhe javët e ardhshme do të jenë vendimtare për të përcaktuar nëse Milani do të ndërhyjë menjëherë në merkato apo do të presë zhvillimet e verës.
PANORAMASPORT.AL








