Në prag të ndeshjes Parma-Milan, trajneri Masimiliano Alegri foli përpara mediave, duke analizuar gjendjen e skuadrës dhe pritshmëritë për sfidën e radhës në Serie A.
Çfarë ndeshjeje prisni në “Tardini”?
Parma është skuadër që e bën të luash keq kundërshtarin, ngre shumë topin dhe lufton në çdo duel. Në fushën e tyre është gjithmonë e vështirë. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe të përgatitur mendërisht, sepse ata do kërkojnë një ndeshje perfekte.
Si do të zëvendësohet Himenez në sulm?
Nkunku dhe Leao mund të bëjnë atë rol. Kristofer u përshtat mirë kundër Romës, ndërsa Rafa duhet të jetë më konkret para portës. Nuk kemi një bomber klasik, por kemi cilësi për të zgjidhur ndeshjet.
Gjendja e Pulisiç, Estupinian dhe Jasharit?
Të tre janë mirë. Pulisiç ka bërë vetëm dy seanca me grupin, ndaj nuk e di sa minuta mund të përballojë, por është në kondicion të mirë. Estupinian dhe Jashari do kthehen pas ndërprerjes.
Milani ka pësuar shumë gola nga skuadra të vogla. Arsyeja?
Ndoshta rastësi, por duhet të përmirësohemi. Kemi pësuar gola të evitueshëm dhe kjo s’mund të ndodhë më. Kur kemi avantazh, duhet ta mbyllim ndeshjen.
Po mbrojtja?
Kam kërkuar të ulim numrin e golave të pësuar. Nëse pëson 50 gola, duhet të shënosh 150 për të qenë lart. Kjo është matematikë futbolli.
A ndikon mungesa e një sulmuesi të pastër?
Jo domosdoshmërisht. Ne mund të luajmë pa ‘9’ klasik. Gjithçka varet nga mënyra si lëviz skuadra pa top.
Sa e rëndësishme është fitorja në Parma?
Shumë. Na duhet për renditjen dhe për të kaluar pushimin me qetësi. Nuk mendojmë për derbin, ai vlen po aq sa kjo ndeshje, por tani fokusi është vetëm Parma.
Do të jetë kjo fitorja e 100- të si trajner i Milanit?
Shpresoj po. Do të ishte një shifër e bukur, por më e rëndësishme është që ekipi të rritet.
Për Menjan dhe të ardhmen e tij?
Majk është portier i madh dhe kapiten shembullor. Klubi po planifikon të ardhmen, unë mendoj vetëm për fushën.
Kur rikthehet Himenez?
Besoj do jetë gati për derbin. Si është atmosfera në skuadër? Ka harmoni, të gjithë janë të përfshirë. Lëndimet kanë hapur hapësira për lojtarë që kishin luajtur më pak, dhe ata po tregojnë vlerë.
Jeni gati të luftoni për kreun?
Është herët. Jemi vetëm në xhiron e dhjetë. Duhet të përgatisim pjesën e dytë të sezonit me kujdes dhe të qëndrojmë në katër vendet e para deri në mars. Pastaj do të shohim.
Modriç është bërë thelbësor?
Po, Luka ndihmon në mbrojtje dhe organizim. Ai sjell qetësi dhe ritëm, por është gjithë skuadra që mbron.
Milani juaj ka identitetin e Alegrit?
Milani nuk është ‘imi’, është i të gjithëve. Unë vetëm përpiqem të drejtoj drejt objektivit të përbashkët.
Objektivi kryesor?
Të rikthehemi në Champions dhe të jemi konkurrues deri në fund. Kampionati është i bukur, por duhet të ruajmë ekuilibrin dhe të punojmë në heshtje.
IGLI ÇUTRA-PANORAMASPORT.AL








