
TIRANË-Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i është drejtuar GJKKO me të njëjtën kërkesë si kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj. Meta ka kërkuar që të mos futet në kafaz metalik gjatë seanca gjyqësore.
Në dokumentin e depozituar në Gjykatën e Posaçme përmes avokatit të tij Kujtim Cakrani, Meta kërkon që të jetë në sallën e gjyqit pranë mbrojtësve të tij pa barriera fizike, dhe në përputhje me të drejtën e mbrojtjes efektive. Sipas kreut të PL vendosja në kafaz metalik në gjykatë përbën në vetvete trajtim poshtërues dhe çnjerëzor. Deri në heqjen e kësaj mase, në kërkesë thuhet se nuk do të zhvillojnë seancat gjyqësore.
“I pandehuri është paraqitur në seancat gjyqësore të kësaj çështjeje në një kabinë xhami / kafaz metalik, i izoluar fizikisht dhe vizualisht nga pjesa tjetër e sallës. Vendosja e të pandehurit në kafaz metalik në gjykatë përbën në vetvete trajtim poshtërues dhe çnjerëzor. Kjo praktikë është konsideruar shkelje absolute, të palejueshme në asnjë rrethanë.
Edhe kabinat e xhamit konsiderohen problematike nga GJEDNJ, pasi kufizojnë të drejtën e mbrojtjes, izolimi vizual dhe fizik dëmton dinjitetin dhe ndikojnë në perceptimin e pafajësisë. Praktika e vendosjes së të pandehurve në kafaze hekuri ose në kabina të mbyllura me xham në sallat e gjyqit në Shqipëri përbën një formë trajtimi degraduese dhe poshtërues, e cila bie ndesh me parimet themelore të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) si dhe me praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ),’-arsyetohet në kërkesën e dorëzuar në GJKKO.



Kreu i PL-së, Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej 21 tetorit të vitit të kaluar, pasi akuzohet nga SPAK për “korrupsion”, “shpërdorim të detyrës” dhe “fshehje e mosdeklarim të pasurisë”. SPAK mbylli hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit, e cila përfshiu tre hetime në një aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror.
Ish-presidenti Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi janë marrë të pandehur nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë. Ilir Meta ndodhet në burg që prej 21 tetorit të kaluar, ndërsa Monika Kryemadhi është në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Çifti tashmë i divorcuar ligjërisht akuzohet se kanë ushtruar pushtetin e tyre ndër vite për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme, si dhe për fshehjen e burimit të këtyre pasurive, duke përfshirë edhe familjarët në skemat e dyshuara./ZËRI






