TIRANË- Kryeministri Edi Rama është përplasur sot me kreun e shoqatës së ndërtuesve Erjon Harizaj, gjatë një takimi që ka zhvilluar sot për paketën e Paqes Fiskale. Rama tha se sektori i ndërtimit është më fitimrprurësi, edhe për shkak të pagave të ulëta me të cilat deklarohet se paguhen punonjësit. Rama tha se paqe me ndërtuesit nuk ka dhe nuk ka për të pasur.
“Çfarë mbështetje doni ju. E para punës njëherë, mbështetje ju që akoma deklaroni punonjës me 500 mijë lekë, që e di shumë mirë edhe ti dhe unë, nuk ekziston punonjës me 500 mijë lekë në ndërtim. Më shif në sy, jo në Tiranë, por askund, nuk vjen të shtron një pllakë i biri botës. Por nuk keni faj ju, por Gjykata Kushtetuese, që na detyron ne me një vendim që ka marrë disa vite më parë, që ne nuk vendosim dot tavan dhe lozni ju.
Çfarë mbështetje doni ju, jeni sektori me më shumë fitim në Shqipëri, tani keni filluar ta kuptoni se nuk luhet me punonjësit, se nuk gjeni dot punonjës. Shkundini mirë xhepat, jepini 1500 euro, ose 2000 mijë euro punonjësve, dhe mbarojini ato ndërtime që keni lënë përgjysmë. Lëre tani se nuk do merrem me ndërtimin tani, jepini njerëzve atë që iu takon. Mos kërkoni gjë fare fare ju, vetëm shpresoni që të mos jeni në listën e zezë”, u shpreh Rama mes të tjerave.
Gjatë diskutimeve, Rama iu përgjigj pyetjeve të sipërmarrësve lidhur me paqen fiskale, duke sqaruar se ajo nuk përbën amnisti fiskale.
“Dallimi është shumë i thjeshtë dhe shumë i qartë. Këtu bëhet paqe me të gjithë ata të cilët nuk janë në konflikt aktualisht me ligjin në Republikën e Shqipërisë. Pra, nuk janë në procese penale të hapura dhe nuk janë në procese gjyqësore të hapura që afektojnë legjitimitetin e të ardhurave. Kaq e thjeshtë është”, u shpreh Kryeministri.
Rama shpjegoi se bizneset kanë mundësinë të vetëkorrigjojnë deklarimet e mëparshme financiare me një kosto minimale.
“Nëse sipërmarrja dëshiron t’i rikthehet pasqyrave të deklaruara në vitet e mëparshme dhe të paraqesë pranë administratës tatimore pasqyra të reja, ku ka vetëkorrigjim të të ardhurave, atëherë do të paguajë vetëm 5% të fitimit të ri. Kështu do të formalizojë atë pjesë të të ardhurave që nuk e ka në pasqyra. Nuk ka asnjë komplikim”, tha Rama.
I pyetur mbi kriteret që duhet të plotësojnë kompanitë për t’u përfshirë në paqen fiskale, kryeministri sqaroi se nuk ka kushte të veçanta përveç respektimit të ligjit.
“Asnjë kriter në kuptimin të posaçëm. Në rast se nuk janë në konflikt me ligjin aktualisht, pra në rast se nuk kanë procese të hapura ligjore, apo në rast se nuk kanë rekorde ligjore që vënë në dyshim legjitimitetin e sipërmarrjes”, deklaroi ai.
Sipas Ramës, përfitues nga kjo masë do të jetë pothuajse i gjithë komuniteti i biznesit.
“99.99% e sipërmarrjeve përfshihen në këtë kategori dhe do të përfitojnë nga paqja fiskale”, përfundoi kryeministri.
Paketa Fiskale 2026 synon të nxisë formalizimin e ekonomisë, të forcojë besimin mes shtetit dhe biznesit dhe të krijojë një terren më konkurrues për sipërmarrjen shqiptare në prag të integrimit në Bashkimin Europian./ZËRI



