TIRANË-Sot Kuvendi do të mblidhet në seancë plenare në orën 10:00. Në fokus do të jetë zgjedhja e 5 anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Procesi vjen në një kohë kur gjashtë anëtarëve u ka përfunduar mandati, duke bllokuar funksionimin e Këshillit, i cili aktualisht nuk mund të marrë vendime pa plotësimin e bordit.
Konkretisht tre kandidatë janë përzgjedhje e Partisë Socialiste: ish-deputeti demokrat Selami Xhepa, ish-kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj dhe Matilda Shehu.
Dy kandidatët e tjerë janë propozuar nga kryeministri Edi Rama, përmes aplikimeve të paraqitura në qeveri: ish-ministri Ervin Mete dhe Jonida Prifti.
Ndërkohë në rend dite pritet një interpelancë me ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, e kërkuar nga deputetët Agron Shehaj dhe Erald Kapri. Në rend dite janë përfshirë gjithashtu gjashtë projektligje të propozuara nga opozita, si dhe ndryshime në ligjin për qeverisjen elektronike dhe ligje të tjera sektoriale. Në fund të seancës pritet të miratohet edhe ligji i ndryshuar për funksionimin e AKSHI-t, për të cilin u hap rruga në Komisionin e Ligjeve.
Debate pritet të ketë edhe për ndryshimet në nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale. Grupi Parlamentar i PS prezantoi më 16 shkurt, nismën ligjore për ndryshimin e nenit 242, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për zv/kryeministren Belinda Balluku. Sipas propozimit të PS-së, në nenin që aktualisht nuk lejon pezullimin nga detyra vetëm të deputetit apo kryebashkiakut do të shtohen edhe 7 subjekte të reja ndaj të cilave nuk mund të shtrihet masa e sigurisë e pezullimit të detyrës. Bëhet fjalë për Presidentin, Avokatin e Popullit, Kryeministrin, zv/kryeministrin, ministrat, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit./ZËRI



