BRUKSEL- Sot do të mbahet në Bruksel samiti BE-Ballkani Perëndimor, për të katërtin vit radhëzi. Udhëheqësit e Bashkimit Europian dhe krerët e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të mblidhen në një takim që konsiderohet i rëndësishëm për ecurinë e procesit të zgjerimit. Kryeministri i Shqipërisë do të jetë i pranishëm në këtë takim të nivelit të lartë. Kreu i qeverisë shqiptare është nisur drejt Brukselit që prej pasdites.
Shqipëria dhe Mali i Zi do të paraqiten në tryezën e përbashkët si vendet më të avancuara në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, krahasuar me vendet e tjera të rajonit. Të dyja vendet kanë avancuar, madje me afate me afate të paracaktuara të anëtarësimit, respektivisht në 2028 dhe 2029.
Disa nga pikat më të rëndësishme ku pritet të fokusohet ky samit, janë:
-Gjetjet më të fundit të Paketës së Zgjerimit 2025, me Malin e Zi dhe Shqipërinë në krye referuar arritjeve drejt anëtarësimit.
-Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor prej 6 miliardë eurosh (një instrument thelbësor për përshpejtimin e afrimit të rajonit me BE-në).
– Ngërçi në procesin e negociatave të Maqedonisë së Veriut, i shkaktuar nga mosmarrëveshja dypalëshe me Bullgarinë, e cila vazhdon të pengojë avancimin e Shkupit drejt BE-së.
– Diskutime mbi zhvillimet politike në Bosnjë dhe Hercegovinë.
– Shqetësimet për problemet me demokracinë në Serbi.
– Situata në Kosovë, e cila gjatë këtij viti do të përballet me dy procese zgjedhore të përgjithshme.
Agjenda e samitit:
16:30 – Mbërritja e liderëve të BE dhe Ballkanit Perëndimor
18:00 – Tryeza e rrumbullakët
19:30 – Konferenca për shtyp Ursula Von der Leyen dhe Antonio Costa
Kujtojmë se ky samit është zhvilluar në vitin 2022 në Tiranë. Liderët e BE dhe ata të ballkanit perëndimor do të takohen përsëri vitin e ardhshëm më 1 qershor në samitin BE–Ballkani Perëndimor 2026, që do të zhvillohet për të dytën herë në Malin e Zi./ZËRI



