TIRANË-Në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale po diskutohet për projekt buxhetin e vitit 2026. Prokurori Vladimir Mara tha se menaxhimi financiar i SPAK është fokusuar në financimin e shpenzimeve dhe përmbushjen e objektivave prioritare si përmirësimi i kapaciteteve të hetimit penal, forcimi i kapaciteteve për hetimet financiare dhe pasurore dhe ndjekjen efektive të konfiskimit. Shifra e planifikuar për rritjen e kapacitetit të hetimeve është 220 milionë lekë.
Vladimir Mara: Në 2026 janë planifikuar edhe 220 mln lekë që kanë të bëjnë me rritjen e kapaciteteve të hetimit. Një pjesë e këtij buxheti shkon për rritjen e kapaciteteve hetimore. Sa i përket ngjarjes së ndodhur për sigurinë, janë marrë të gjitha masat lidhur me sigurinë e godinës, në të cilën ushtron aktivitetin SPAK, nuk mendoj se ka problematikë lidhur me sigurinë e punonjësve brenda këtij institucioni. Po ashtu edhe për prokurorët ka masë të shtuar të sigurisë së tyre. Në lidhje me portofolin e kriptomonedhave është një fakt i bërë publik nga drejtuesi i SPAK, kjo ka lindur realisht nga nevoja gjatë hetimeve të kryera sidomos ato që kanë të bëjnë me krimin e organizuar, ka pasur raste të sekuestrimit të kriptovalutave dhe ne nuk kemi patur portofol për t’i ruajtur këto kriptovaluta. Mendoj se ka nevojë edhe për ndërhyrje ligjore lidhur me këtë problematikë.
Mara u pyet edhe nëse sistemi i Prokurorisë së Posaçme ka patur sulme kibernetike, për të cilën u shpreh se nuk ka djeni për një problem të tillë.
“Në dijeninë time nuk kemi patur problematikë të tillë”, është shprehur Mara.
Një ndarje buxheti është parashikuar edhe për Këshillin e Lartë Gjyqësor, por kreu i KLGJ, Ilir Rusi u shpreh se nga shuma e kërkuar janë 2 miliardë më pak. Rusi thotë se 57 milionë lekë do të shkojnë për investime lidhur me çështjen e sigurisë në gjykata, ndërsa 123 milionë të tjera për përmirësimin e infrastrukturës. Ilir Rusi tha se nevojiten edhe rreth 340 milionë lekë shtesë.
Ilir Rusi: KLGJ ka 3 programe buxhetore, një për KLGJ, një për Qendrën e Teknologjisë dhe Informacionit dhe një për gjykatat. Kërkesat kanë qenë për një buxhetim prej 9.000.300.000 lekë për të treja këto programe. Në projekt buxhet është miratuar në vlerën 6.000.800.000 lekë, me diferencë prej 2.000.500.000 lekë që përbën një miratim të tanishëm sipas projektbuxhetit në vlerën e 26% më pak se buxheti i kërkuar nga KLGJ. Buxhetimi për 2026 është 20% më tepër sesa viti i kaluar. Buxheti më i madh shkon për paga, sigurime shoqërore, mallra e shërbime të tjera. Kemi parashikuar 57 milionë lekë për sigurinë në gjykata, duke marrë në konsideratë edhe kërkesat e fundit të bëra nga gjykatat për rritjen e sigurisë, për blerjen e pajisjeve teknologjike për të rritur nivelin e sigurisë në Gjykata. 167 milionë lekë për mjetet e teknologjisë për sigurinë në gjykata, detektorë, kamera, skanerë, mjete alarmi 123 milionë për përmirësimin e infrastrukturës në gjykata, ka gjykata që nëse çon postë detektori, nuk ka ku ta vendosësh, ndaj duhet përmirësim i infrastrukturës lidhet me këtë, 50 milionë lekë të reja për pajisje të reja.
Projektbuxheti i vitit 2026 është programuar në vlerën 8.8 miliardë lekë, rreth 1 miliard euro më shumë se në 2025, ku përfitojnë edhe institucionet e drejtësisë. Rritjen më të madhe e ka Këshilli i Lartë Gjyqësor me gati 12 milionë euro më shumë, duke marrë për vitin 2026 gjithsej 68 milionë euro. Edhe SPAK merr një buxhet më të madh për vitin 2026. Prokuroria e Posaçme do të ketë në dispozicion 21 milionë euro nga 18.8 milionë që kishte vitin e kaluar./ZËRI



