TIRANË-Prokurimet publike janë bërë shkak i replikave mes kryetarit të Partisë Demokratike dhe Kryeministrit Edi Rama. Berisha ngriti akuzat nga një konferencë për shtyp, ku deklaroi se integriteti i prokurimeve publike ka rënë me 14 pikë që kur PD ishte në pushtet. Aipas tij, Rama i ka bërë llogaritë gabim pasi Shqipëria ka një nga nivelet më të ulëta në botë të prokurimit publike me 49 përqind.
Sali Berisha: Tani një mashtrim tjetër i paskrupullt që Tirana i bën Komisionit Evropian dhe BE-së. Edi Rama dhe qeveria e tij e mashtrimit deklaron se ka prokuruar në vit 10 përqind të GDP-së dhe e shpall veten kampion. Mashtrues i paskrupullt. Si e ka realizuar mashtrimin? Ka llogaritur prokurimet publike dhe prokurimet publike të anuluara. Në qoftë se nga prokurimet publike të vendit zbriten prokurimet e anuluara, Shqipëria ka një nga nivelet më të ulëta në botë të prokurimit publike, dhe jo që nuk e ka 10, por e ka gjithsej 4.9 përqind. Histori banale kjo e një njeriu delinkuent që ose mashtron me qëllim ose është tabula rasa dhe nuk di çfarë thotë. Siç bënin me eksportin, në një kohë kur eksportet këtu binin në pikiatë, këta llogarisnin eksporte, ri-eksportet nga Durrësi në Kosovë. Mallrat e importuara nga tregtarët e Kosovës dhe të shkarkuara në portin e Durrësit me destinacion Kosovën. Dhe këto mallra, Edi Rama i llogariste si të prodhuara në Shqipëri. Të njëjtin mashtrim bën sot, por jo me mallrat që kalojnë në Kosovën, por e bën me tenderat e anuluar. Dhe shto ato sa herë anulohet tenderi, llogaritet prokurim i bërë. Kjo është një papërgjegjshmëri tjetër e plotë e tij. Njeri që gënjen zyrtarisht, gënjen pafytyrësisht. Gënjen në takime zyrtare.
Deklaratës së tij Rama i është përgjigjur përmes një postimi në platformën “X”, ku shkruan se integriteti i prokurimeve ka dalë më mirë se shumë nga shtetet e BE-së, duke e cilësuar si një fakt të pakundërshtueshëm. Kreu i qeverisë shprehet se Shqipëria ka bërë progres të madh në prokurimet publike dhe se me ndihmën e Diellës, vendi do të renditet në këtë fushë në nivelin më të lartë europian.
Edi Rama: Hedh budallai i madh një gur në lumë dhe pastaj të vegjëlit bëjnë si të mençur për ta nxjerrë, duke thënë që integriteti i prokurimeve publike në Shqipëri paska shënuar rënie! Po se si e shënoi këtë rënie, kur në fakt Shqipëria u përfshi për herë të parë në portalin europian të matjes së integritetit të prokurimeve për shtetet e Bashkimit Europian, duke dalë më mirë se sa shumë prej tyre, këtë as i madhi e as të vegjlit nuk kanë se si e thonë, sepse budallallëku ka kufi vetëm vetveten. Rëndësi ka që duan s’duan ata që s’duan, sot Shqipëria vlerësohet ndërkombëtarisht si asnjëherë më parë, edhe në fushën e prokurimeve, ku kemi bërë progres të madh dhe jemi ende në ngjitje, sepse me Diellën në prokurimet publike do të arrijmë brenda këtij mandati, një nivel integriteti e shpejtësie që do të na rendisë në nivelin më të lartë europian, falë Inteligjencës Artificiale.



