BRUKSEL- Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, ka deklaruar se një nga sfidat më të mëdha të Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit mbetet pranimi i këtij fenomeni në shoqëri. Gjatë një forumi të organizuar nga “Politico”, Kos theksoi se edhe pse vendi mund të ketë ligje të mira për të luftuar korrupsionin, problemi qëndron më thellë, tek mentaliteti. Sipas saj, nëse korrupsioni pranohet si diçka normale, atëherë përpjekjet ligjore nuk janë të mjaftueshme.
Ajo u shpreh se Bashkimi Europian po monitoron nga afër situatën në Shqipëri. Në këtë kontekst, Kos vlerësoi punën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Megjithatë, ajo nënvizoi se po aq të rëndësishme janë edhe reagimet që pasojnë këto hetime, të cilat gjithashtu janë në vëzhgim nga Brukseli.
“Edhe nëse ke legjislacionin më të mirë, nëse korrupsioni pranohet në vend, atëherë ke një problem tjetër. Ndryshimi i kësaj qasjeje kërkon kohë”, u shpreh Kos.
Sipas saj, kjo është një sfidë e përbashkët për të gjitha vendet kandidate për në Bashkimin Europian, të cilat duhet të kalojnë një proces të gjatë transformimi jo vetëm institucional, por edhe shoqëror.
“Ka edhe disa raste, dhe ju keni përmendur rastin e Ballukut të cilin po e monitorojmë me shumë kujdes. Ju e dini, SPAK-u, agjencia e antikorrupsionit në Shqipëri po bën një punë të shkëlqyer, dhe është në njëfarë mënyrë normale që ata të zbulojnë raste. E rëndësishmja është të shihet që nëse këto çështje ekzistojnë, cilat janë reagimet, dhe këtë ne gjithashtu po e monitorojmë. Një tjetër çështje me antikorrupsionin e cila është tipike do të thoja për të gjithë vendet kandidate, është se mund të kesh legjislacionin më të mirë për të luftuar korrupsionin, por nëse korrupsioni pranohet në atë vend, atëherë juve keni një problem tjetër.
Kështu që të gjitha këto vende po kalojnë nëpër procesin e ndryshimit të mendësisë në raport me korrupsionin dhe kjo kërkon kohë”, tha Kos./ZËRI



