STRASBURG- Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, gjatë një debati në Parlamentin Evropian tha se asnjë vend që mund të minojë vlerat e BE-së nuk mund të bëhet pjesë e tij. Kos u shpreh se Bashkimi Evropian nuk do të lejojë “rrugë të shkurtra” në procesin e integrimit dhe as në zbatimin e reformave të kërkuara nga vendet kandidate.
“Nuk ka kuaj të Trojës. Vendet që mund të na minojnë nga brenda nuk mund të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian. Duhet të jemi absolutisht të sigurt për këtë. Shtetet që i bashkohen BE-së duhet të jenë demokraci të forta dhe elastike, të afta t’i rezistojnë ndikimit toksik të Rusisë dhe aktorëve të tjerë. Nuk mund të ketë rrugë të shkurtra për reformën”, deklaroi Kos në Parlamentin Evropian.
Komisionerja paralajmëroi veçanërisht vendet që aktualisht konsiderohen më të avancuara në negociatat e anëtarësimit, duke përmendur Malin e Zi, Shqipërinë, Ukrainën dhe Moldavinë. Sipas saj, statusi i tyre nuk përbën garanci për progres automatik.
“Pozicioni i liderit në procesin e pranimit nuk garanton status të veçantë”, u shpreh Kos, duke shtuar se çdo hap përpara duhet të fitohet përmes rezultateve konkrete në reforma.
Kos theksoi rëndësinë e vazhdimit të procesit të integrimit përmes reformave. “Kjo rrit besueshmërinë,” deklaroi Kos, duke shtuar se “BE-ja duhet gjithashtu të përmbushë angazhimet e saj”, tha dje Kos.
Ndërkohë sot Kos u takua me me ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxhën. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo theksoi se Shqipëria është një nga vendet kryesuese në procesin e anëtarësimit.
Më tej, ajo zbuloi detajet e takimit, ku shkruan se fokusi ka qenë te objektivat për sundimin e ligjit. Kos shkruan se gjatë takimit theksoi nevojën për një zbatim të besueshëm të këtyre objektivave për Shqipërinë, për të ruajtur ritmin në negociatat për anëtarësim.
“Shqipëria është aktualisht një nga vendet kryesuese në procesin e anëtarësimit në BE. Kjo vjen me pritshmëri të larta. Tani po vazhdojmë me diskutimet mbi objektivat e përkohshme për sundimin e ligjit. Së bashku me Ministrin e Jashtëm, Ferit Hoxha, theksova nevojën për një zbatim të besueshëm të këtyre objektivave për Shqipërinë, për të ruajtur ritmin në negociatat për anëtarësim. Ky është një hap i rëndësishëm për të arritur standardet e BE-së në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe demokracinë”, tha Kos./ZËRI



