Mungon vetëm firma, por në këtë rast bëhet fjalë për një formalitet. Luciano Spalletti është trajneri i ri i Juventusit dhe, që sonte, do të jetë në tribunën e stadiumit “Allianz” për të ndjekur ndeshjen kundër Udineses, raportojne mediat italiane.
Nga nesër, ai do të marrë zyrtarisht drejtimin e skuadrës me objektivin për ta ringritur dhe për ta rikthyer, të paktën, në zonën e Champions League.
Champions-i, në fakt, është qëllimi kryesor. Ish-trajneri i Napolit, një zgjedhje që ka ngjallur reagime të forta mes tifozëve bardhezinj, ka arritur marrëveshjen me “Zonjën e Vjetër” deri në qershor të vitit 2026.
Kontrata do të rinovohet automatikisht edhe për dy sezone të tjera, me një rritje të lehtë page (aktualisht 3 milionë euro në sezon plus bonuse), në rast se ekipi arrin kualifikimin në kompeticionin më të rëndësishëm europian.
Juventus-i i tij pritet të ndryshojë fytyrë: rikthim te mbrojtja me katër lojtarë dhe sulmi klasik me treshe, ku titullarë të padiskutueshëm do të jenë Yildiz dhe Conceiçao, të cilëve do t’u bashkohet një mes Vlahovic apo David. Alternativa tjetër mbetet skema 4-2-3-1.
Sa i përket marrëveshjes, Spallettit nuk iu desh shumë për të thënë “po”. Siç duket, dëshira për të përfituar nga “rasti i madh” e ka përshpejtuar negociatën. Dje, drejtori Modesto kishte tentuar t’i propozonte administratorit Comolli edhe emrin e Raffaele Palladino-s, me të cilin kishte punuar te Monza, por biseda mbeti vetëm formale.
Drejtuesit bardhezinj e kishin marrë tashmë vendimin, donin Spallettin, dhe prisnin vetëm konfirmimin e tij. Nga ana tjetër, tekniku toskan mezi pret të rikthehet në fushë pas zhgënjimit me kombëtaren italiane.









