TIRANË- Një ligj i ri për konfliktin e interesit, që është hartuar nga ILDKPI, dhe është dërguar në Kuvend nga dy deputetë të Partisë Socialiste, ka shtuar skepticizmin e kolegëve të tyre në Komisionin e Ligjeve.
Deputeti i PS-së, Damian Gjiknuri tha se me ligjin e ri, çdo punonjës publik, do të ndalohet të ushtrojë profesione në fusha të tjera. Duke marrë si shembull rastin e mjekëve, Gjiknuri u shpreh se kufizimi i tyre për të ushtruar dhe profesionin e pedagogut do të ishte vrastare.
“Zyrtari do ndalohet të ushtrojë profesionin e tij në fusha të tjera. Kjo për mendimin tim në shumë sektorë të vendit do jetë vrastare. Si mund të vëmë ne kufizime që një pedagog të mos ushtrojë profesionin e mjekut, si të kufizojmë një pedagog që të mos ushtrojë detyrën e konsulentit, që të mos jetë në bordin e një ndërmarrje. Kaq është Shqipëria, kaq pak njerëz ka me nivel intelektual. Sot po do të kesh zhvillim e progres, nëse nuk është i lidhur institucioni shtetëror me atë privat, ka mbaruar. Janë si dituria e makinave që mësonim ne në shkollë, kur nuk kishim makina”, tha Gjiknuri.
“Kjo duhet parë se mund të dalë me probleme më vonë. Ka një kufizim aty që nuk u lejohen të ushtrojnë profesionin e licencuar. Një ekspert ekonomie si mund të mos jetë edhe pedagog edhe audit. Është tjetër gjë kufizimi me vendimmarrjen e institucionit publik. Si mund ti them një avokati që të jesh pedagog duhet të lësh licencën e avokatit. Kjo është absurde”, vijoi më tej deputeti socialist.
Në të njëjtën linjë ishte edhe nënkryetari demokrat i Komisionit të Ligjeve, Oerd Bylykbashi, i cili tha se përpara miratimit të ligjit, duhet të dëgjohen edhe grupet e interesit.



