“Lëshojmë si lopa bajgën mbeturinat në rrugë e lumenj”! Shqipëria nën ujë, Rama: Gati plani i dëmshpërblimeve!


"Lëshojmë si lopa bajgën mbeturinat në rrugë e

edi rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama e ka nisu podcastin e tij “Flasim” duke komentuar përmytjet, një situatë dramatike që ka zaptuar vendin prej ditësh. Sipas Ramës, një masë ajri e ftohtë nga veriu është përplasur me një masë të ngrohtë, duke shkaktuar reshjet e fundit. Rama njofton se kjo masë nuk ka prekur vetëm Shqipërinë, e mgjithatë thekson se qeveria shqiptare është e përgatitur dhe po i bën ballë përmbytjeve në mënyrë të suksesshme.

Përveç infrastrukturës, Rama bëri me faj edhe qytetarët, duke theksuar se faktori njerëzor ka pasur ndikimin e vet sa i përket përmbytjeve: “Prurjet marramendëse të plastikës nga lumenjtë në këto raste, janë të frikshme, janë të neveritshme, janë kriminale në kuptimin e plotë të fjalës.”

“Kjo javë ka qenë tejet e ngarkuar me reshje dhe dëborë, një gjendje atmosferike tejet e rënduar e cila nuk ka prekur vetëm Shqipërinë. Një masë ajri e ftohtë nga veriu është përplasur me një masë të ngrohtë ku ka krijuar këtë masë atmosferike me reshje shiu dhe bore në të gjithë vendin. Më shumë thatësira dhe zjarre, vorbulla përmbytjesh, nuk është më klima që jemi mësuar. Jam krenar për faktin që për çdo emergjencë jemi në gatishmëri, falë çdo investimi që kemi bërë, rreth çerek miliard euro. Kjo vorbullë 10-12 vite me radhë do të kishte përmbytur shumë më shumë. Ama përtej vorbullës atmosferike, ndryshimit klimatik, sasisë së reshjeve që në katër ditë ishte sa mesatarja e muajit janar, pra 30 ditëve reshje, në pesë vitet e fundit, faktori njerëzor ka peshën e vet. Ka peshën e vet për mirë ose për keq, njësoj siç edhe infrastruktura ka peshën e vet për mirë ose për keq. Jo për t’i ndalur, por për t’i bërë më të kontrollueshme, këto masa të jashtëzakonshme reshjesh dëbore dhe prurjesh. Ndërkohë që, ne si qeveri, jemi të qartë për nevojën e vazhdimit te investimeve në sistemin mbrojtës të vendit, unë nuk e di fare sinqerisht se si i bëhet harbutërisë ekstreme ndaj natyrës që manifestojmë orë e çast ne si popull!

Po troç, ne si popull! Prurjet marramendëse të plastikës nga lumenjtë në këto raste, janë të frikshme, janë të neveritshme, janë kriminale në kuptimin e plotë të fjalës. Hedhja rrugëve e shisheve dhe qeseve plastike, si të ishte ky vend, jo atdheu ynë i përbashkët, po një kosh plehrash në një territor që s’na përket me të cilin s’kemi lidhje, ku, kudo ku na teket, lëshojmë si lopa bajgat, mbetjet e konsumit tonë, është diçka, që e mbulon tamam me bajga flamurin e pavarësisë tonë si shtet, librin e historisë së përpjekjeve tona shekullore si komb për të jetuar në shtetin tonë, fytyrën e secilit prej nesh si njerëz të këtij populli e si qytetarë të Europës, që mbajmë emrin shqiptar, të cilin e mbajmë me të drejtë me krenari në shumë raste, të cilin e ndiejmë me të drejtë si vërtetë fjalën kyçe që na bën të ndihemi krenarë kur je në stadium, por të cilin e përdhosim, emrin shqiptar, duke përdhosur Shqipërinë, duke përdhosur natyrën e Shqipërisë, duke përdhosur fytyrën e Shqipërisë.
Ne si qeveri e si shumicë popullore, sidoqoftë nuk do të dorëzohemi, e do të dalim më tej me masa të reja kundër kësaj fuqie të errësirës në trurin tonë si milet, duke rritur përpjekjet për sensibilizim, informim, por edhe ndëshkim po ashtu. Por në të gjitha rastet është e domosdoshme që gjithësecili të ftillohet sepse kjo që ndodh dhe ajo që i bëjmë ne Shqipërisë, duke hedhur një shishe plastike apo duke hedhur një qese plastike në rrugë ka vetëm një fjalë që e përkufizon, krim”, tha kryeministri Rama.

Kryeministri iu drejtua qytetarëve të prekur nga përmbytjet, duke bërë të ditur që ekipet e emergjencës janë në terren që nga dita e parë. Për më tepër, Rama siguroi mbështetjen dhe premtoi dëmshpërblim për të prekurit nga moti i keq.

“Ti nuk do të jesh kurrë vetëm Kjo është motoja ime dhe e jona sa herë fatkeqësi të ndryshme godasin vendin e njerëzit, që nga tërmeti shkatërrues i mijëra e mijëra shtëpive e deri tek sikleti rrënues i një familjeje të goditur nga uji, zjarri apo nga ndonjë fatkeqësi tjetër. Dhe dua t’u përcjell përsëri, të dëmtuarve nga kjo goditje e fatkeqësisë kësaj here, se ne do t’i qëndrojmë me të njëjtin dinjitet njerëzor, shtetëror dhe politik çdo detyrimi ndaj tyre, qoftë për banesat, qoftë për gjënë e gjallë. Puna jonë intensive nuk mbyllet me përmirësimin e situatës së motit, por do të vazhdojë me riparimin e dëmeve në infrastrukturë dhe të çdo dëmi në familjet e prekura nga uji. Ekipet tona të verifikimeve janë në terren që nga dita e parë, ndërkohë që Ministria e Financave e ka të përgatitur tanimë të gjithë planin me skenarët e dëmshpërblimit. Presim rezultatin përfundimtar të verifikimeve për të kaluar në fazën e dëmshpërblimeve.”, tha Rama./ZËRI

Poll



Source link

Scroll to Top