Kenan Jilldiz është kthyer në një kohë të shkurtër në një nga liderët e Juventusit, që i ka besuar fanellën me numrin 10 që do të thotë shumë në klubin bardhezi. Dhe këtë verë, palët do të duhet të marrin një vendim të rëndësishëm.
Jilldiz nënshkroi një vit e gjysmë më parë kontratën e re, duke çuar rrogën mbi 1,5 milionë euro në sezon. Por futbollisti nuk është i kënaqur dhe kërkon që të vlerësohet më shumë ekonomikisht në klubin ku kontributi i tij është rritur ndjeshëm dhe ka marrë një rol kryesor.
Mediat italiane bëjnë të ditur se ai tashmë kërkon të jetë më i paguari, ose të paktën të paguhet sa Bremer e Dejvid, të cilët përfitojnë 6 milionë euro në sezon. Kërkesa ka qenë që kjo të bëhet që tani, duke parashikuar largimin në verë të Vlahoviç i cili liron 23 milionë euro në sezon nga bilancet e klubit.
Por në këtë pikë Juventusi ka vendosur të presë. Bardhezinjtë janë të ndërgjegjshëm që shumë gjëra varen nga kualifikimi në Champions dhe nëse nuk e arrijnë atë, Jilldiz mund të jetë një nga emrat që sakrifikohen në merkato, sidomos nëse mbetet vlerësimi prej 100 milionë eurosh i kartonit të tij. Ndaj presin fundin e këtij sezoni, për t’u ulur më pas për bisedat konkrete me lojtarin dhe për të përcaktuar të ardhmen e tij.
PANORAMASPORT.AL









