TIRANË-Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka mirëpritur ndryshimet e fundit në Kodin Penal lidhur me shpifjen, duke e cilësuar këtë si një hap të parë të rëndësishëm drejt forcimit të lirisë së shprehjes në vend. Në njoftim thuhet se forcimi i mbrojtjes për gazetarët pasqyron një rekomandim të hershëm të OSBE-së.
“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mirëpret ndryshimet e fundit në Kodin Penal lidhur me shpifjen, si një hap të parë të rëndësishëm drejt forcimit të lirisë së shprehjes. Forcimi i mbrojtjes për gazetarët pasqyron një rekomandim të hershëm të OSBE-së. Ne vijojmë të inkurajojmë dekriminalizimin e plotë të shpifjes dhe përdorimin e masave civile proporcionale,” thuhet në reagimin e OSBE.
Pas një seance maratonë që zgjati rreth 18 orë, me 85 vota pro u miratuan mbrëmjen e djeshme ndryshimet e Kodit Penal. Sipas ndryshimeve, janë tre rastet kur gazetari, përjashtohet nga përgjegjësia penale për shpifje, mes të cilave kur vlerësohet se para publikimit, ka bërë çdo përpjekje për të zbardhur të vërtetën dhe kur fshin ose korrigjon lajmin në rast se kontaktohet nga palët e prekura.



