TIRANË-Dy seanca plenare në një ditë! Kuvendi do të mblidhet në pjesën e parë për të votuar shkarkimin ose jo të kryeparlamentarit Niko Peleshi. PD me anë të një raporti akuzon Peleshin për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, si dhe për sjellje të njëanshme politike në drejtimin e punimeve parlamentare, në favor të Partisë Socialiste dhe Kryeministrit Edi Rama. Opozita ka ngritur shkelje në lidhje me seancën e 16 dhe 18 tetorit, aty ku u njoftua Ndryshimi i rregullores që çoi në shtimin e komisioneve të përhershme parlamentare dhe mos-realizimi i debatit parlamentar për programin qeverisës ‘Rama 4’.
Nga ana tjetër PS pretendon se nuk provohet asnjë shkelje nga ato që pretendon PD. Mazhoranca kërkon që kërkesa e opozitës të rrëzohet, duke arsyetuar se Peleshi ka treguar frymën e bashkëpunimit dhe tolerancës në drejtimin e Parlamentit. Raporti i PD ashtu si i PS do hidhet për votim, ku duhen 71 vota pro për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit.
Në pjesën e dytë, në orën 11:30, pritet të nisë raportimi i disa institucioneve. Së pari do të raportojë kryetarja e KLP-së, Mirela Bogdani, e cila nuk mundi të raportonte në seancën e shkuar. Pritet që të prezantohet edhe raporti i Avokates së Popullit për 2024, Erinda Ballanca. Po ashtu, do të paraqiten edhe raportet e Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, i Institutit të Statistikave, i AMA-s dhe RTSH-së.
Në rend dite janë edhe disa projektligje./ZËRI



