TIRANË- Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot në seancën plenare ku do të votohet raporti i maxhorancës dhe opozitës mbi kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetes socialiste Belinda Balluku. Seanca është parashikuar të nisë në orën 10:00, ndërsa paralelisht opozita ka paralajmëruar protestë përpara godinës së Parlamentit.
Në njoftimin e rendit të ditës, Kuvendi bën me dije se votimi i raporteve do të jetë pika e para, fill pas nisjes së seancës në ora 10:00. Para prezantimit të dy raporteve të përgatitur nga PD dhe PS në Këshillin e Mandateve, do të shprehet deputetja Belinda Balluku.
Partia Socialiste nuk i ka dhënë autorizimin SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut. Në raport nënvizohet se nuk ka asnjë provë që Balluku të ketë intimiduar dëshmitarë dhe as nuk ka rrezik real arratisjeje nga ana e saj. Ndërkohë, në fjalimin e tij kryeministri Edi Rama u shpreh se SPAK nuk pengohet në hetimin ndaj Ballukut, duke theksuar se ajo duhet të përballet në gjyq me akuzën për shkelje të barazisë në tendera.
Nga ana tjetër Partia Demokratike, është shprehur pro heqjes së imunitetit dhe hapjen së rrugës së Prokurorisë së Posaçme për të marrë të tjera masa ligjore. Heqja e imunitetit të Ballukut nga Kuvendi do t’i hapte rrugë arrestimit të saj, qoftë ky arrest me burg, në shtëpi apo edhe kontroll banese.
Rendi i ditës:
1.Projektvendimi “Për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetes Belinda Balluku, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit”.
(Në mbështetje të nenit 73 të Kushtetutës dhe neneve 13 dhe 118 të Rregullores së Kuvendit, shumicë e thjeshtë votash për miratim).
Pasi të flasë deputetja Balluku, paraqitet raporti nga opozita. Më pas paraqitet raporti i mazhorancës dhe në fund votohet.
2. Projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën e Metrit, nënshkruar në Paris, më 20 maj 1875, të ndryshuar me konventën e nënshkruar në Sèvres, më 6 tetor 1921, dhe rregulloren përkatëse”. (Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, shkronja “ç”, të Kushtetutës, dhe neneve 55, 73-77 të Rregullores, shumicë absolute votash për miratim)
3. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë (huamarrësi), përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) (agjencia e zbatimit të projektit) dhe KfË, Frankfurt am Main (KfË), për rehabilitimin e hidrocentralit të Fierzës”. (Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, shkronja “ç”, të Kushtetutës, dhe neneve 55, 73-77 të Rregullores, shumicë absolute votash për miratim)
4. Projektvendimi “Për disa shtesa në vendimin nr. 64/2025, “Për caktimin e anëtarësisë së komisioneve të përhershme të Kuvendit”, i ndryshuar”. (Në mbështetje të nenit 78, pika 1, të Kushtetutës, si dhe të neneve 21, pika 1, dhe 55 të Rregullores së Kuvendit, shumicë e thjeshtë votash për miratim)
5. Projektvendimi “Për një shtesë në vendimin nr. 65/2025, “Për caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit”, i ndryshuar”.
(Në mbështetje të nenit 78 të Kushtetutës, si dhe neneve 21/1 dhe 55 të Rregullores së Kuvendit, shumicë e thjeshtë votash për miratim)
6. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës. (Në mbështetje të nenit 45 të Rregullores së Kuvendit: Çdo deputet mund të flasë jo më shumë se 5 minuta dhe nëse diskuton në emër të grupit parlamentar, jo më shumë se 8 minuta. Koha e diskutimeve për çështje jashtë rendit të ditës nuk mund të jetë më shumë se 60 minuta.)/ZËRI



