Kushtetuesja shqyrton sot pezullimin e Ballukut nga funksionet në qeveri, skenarët që pritet të ndiqen


Kushtetuesja shqyrton sot pezullimin e Ballukut nga funksionet në qeveri,

belinda balluku ne kushtetuese

TIRANË- Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë sot padinë e bërë nga kryeministri Edi Rama, për vendimin e Gjykatës së Posaçme, për të pezulluar nga detyra zëvendëskryeministren dhe njëherësh ministren e Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku. Padia e bërë nga kryeministria do të shqyrtohet nga treshja e gjyqtarëve Sandër Beci (relatori), Sonila Bejtja dhe Marsida Xhaferllari, të cilët do të vendosin nëse çështja do të kalojë për gjykim. Nëse ata vendosin për rrëzimin e padisë së kryeministrisë, atëherë që sot do të mbetej në fuqi vendimi i Gjykatës së Posaçme. Nga ana tjetër në rast se padia do të regjistrohet, ajo do të shqyrtohet nga trupa e plotë e gjyqtarëve, që pritet të dalin më pas në një vendim.

Në padinë e dorëzuar në Kushetuese, nga kryeministria, thuhet se Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme kanë ndërhyrë në kompetencat e ekzekutivit, pasi shkarkimi apo emërimi i minitrave është vetëm kompetencë e kreut të qeverisë.

ÇFARË THUHET NË PADINË E KRYEMINISTRISË

1. Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave, nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), nga ana tjetër, lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së anëtarit të Këshillit të Ministrave.

2. Shfuqizimi i vendimit nr.118, datë 19.11.2025, të GJKKO-së, për pjesën që ka disponuar vendosjen e masës ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së Zëvendëskryeministrit dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, si një akt që cenon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave, parimin e ndarjes së pushteteve dhe kompetencat e organeve, që Kushtetuta ka caktuar si autoritete, që propozojnë, emërojnë dhe miratojnë ministrat në detyrë.

3. Pezullimi i efekteve të vendimit të mësipërm të GJKKO-së, deri në përfundimin e gjykimit të kësaj kërkese nga Gjykata Kushtetuese.

4. Interpretimi i pikës 3, të nenit 103, të Kushtetutës, në kuptimin që “Anëtari i Këshillit të Ministrave, duke gëzuar imunitetin e deputetit, përfiton nga të gjitha garancitë procedurale, që i njeh jo vetëm Kushtetuta këtij të fundit, por edhe legjislacioni procedural penal.”

Gjatë ditës së djeshme në një përgjigje për Sali Berishën, kryeministri Edi Rama këmbënguli se vendimi i Gjykatës së Posaçme cënon kompetencat e tij, dhe se padia nuk ka lidhje me presionin ndaj sistemit të drejtësisë.

“Presion gjykatës? Kryeministri nuk duhet të flasë për një proces gjyqësor. Me një pjesë nuk jemi kuptuar. Prandaj jam këtu duke e nisur me pyetjen, a e dini se kush e ka ankimuar në Kushtetuese pezullimin e ministres? E kam ankimuar unë si kryeministër dhe jo për individ, një ministre, që në këtë rast është edhe zv.kryeministre, por për parimin e moscenimit të balancës mes pushteteve, për parimin e mosndërhyrjes në një pushtet të pavarur, e mos marrjes së kompetencave të kryeministrit dhe presidentit nga një prokuror e gjykatës.

Unë jam palë dhe flas si palë, nuk i bëj presion askujt. Unë flas për publikun, për një proces që vendos jo për mua, por për balancën e pushteteve, për lirinë kushtetuese të kryeministrit për të vendosur për ekzekutivin dhe përbërjen e tij, të drejtën ekskluzive të parlamentit për të miratuar ose jo përbërjen e një qeverie”, u shpreh dje Rama.

Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit vendosi për pezullim nga detyra të zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ndalim daljeje jashtë vendit. Gjykata arsyetoi se vendimi erdhi pasi Balluku mund të prishë provat dhe të intimidojë dëshmitarët, në sajë të detyrës që mban. Balluku me vartësit e saj akuzohen se kanë paracaktuar fituesit në dy tenderë me vlerë 210 mln euro, atë të Tunelit të Llogarasë 190 mln euro dhe loti 4 i Unazës së Madhe 20 mln euro. GJKKO ka caktuar edhe arrest shtëpie për kreun e ARRSH-së, Gentian Gjyli dhe Erald Elezin, aktualisht drejtor i KESH./ZËRI

Poll



Source link

Scroll to Top