TIRANË- Ilirjan Celibashi, kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ka deklaruar se janë pezulluar përgatitjet për Tiranën pas vendimit të Kushtetueses. Në një konferencë për mediat, kryekomisioneri tha se do të vijojnë përgatitjet për zgjedhjet në 5 bashki të tjera më datë 9 nëntor.
“Pas vendimit të djeshëm të Gjykatës Kushtetuese, në zbatim të vendimit që dje menjëherë ka ndërprerë të gjitha përgatitjet që lidhen me procesin zgjedhor në Tiranë. Vazhdon normalisht procesi për 5 bashkitë e tjera. Në datën 9 nëntor do zhvillojmë zgjedhje për 5 bashkitë e tjera.”, u shpreh Celibashi.
Por çfarë do të ndodhë me zgjedhjet në Tiranë nëse më 31 tetor Kushtetuesja shpall të vlefshëm dekretin e Begajt? Kësaj pyetje Celibashi u shpreh i prerë se KQZ nuk mund ta kryejë veprime pa marrë vendim Gjykata Kushtetuese.
“Se çdo të ndodhë nëse GJK merr një vendim apo një tjetër këtë nuk dua ta them se ndryshe do isha një komentator. Si kreu i KQZ vlen të them: GJK ka caktuar datën 31 për të vendosur mbi këtë çështje, në çdo lloj versioni qoftë KQZ qoftë Këshilli i Ministrave apo Presidenti, do të shohin nëse do të ketë vend apo jo për të ndërmarrë ndonjë veprim të caktuar. Nuk preferoj të flas ç’duhet të bëhej në një situatë hipotetike.”, tha Celibashi.
Gjykata Kushtetuese rrëzoi dje drekretin e Presidentit, Bajram Begaj për zgjedhjet e 9 Nëntorit. Vendimi erdhi pasi Kushtetuesja u vu në lëvizje nga Erion Veliaj, i cili ankimoi vendimin e shkarkimit të tij si kryebashkiak i Tiranës.
Presidenti Bajram Begaj, më datë 1 tetor 2025, nxorri dekretin për zgjedhje të parakohshme në Bashkinë e Tiranës dhe 5 bashki të tjera të vendit. Pas dekretit, avokatët e Erion Veliajt bënë shtesë në ankimimin e tyre të mëparshëm, duke kërkuar edhe shpalljen anti-kushtetues të dekretit të Presidentit për zgjedhjet e Tiranës. Gjykata Kushtetuese do të mbajë seancën publike për të shqyrtuar kërkesën e Erion Veliajt më 31 tetor.
Çfarë ndodhi?
Shkarkimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj u hapi rrugë zgjedhjeve të parakohshme, por lëvizja e tij nga qelia ka ‘bllokuar’ postin për kryetar bashkie.
Veliaj kundërshtoi shkarkimin nga detyra e kryetait të Bashkisë së Tiranës, në Gjykatën Kushtetuese. Veliaj thotë se vendimi është i paligjshëm dhe antikushtetues. Ai argumenton se neni 62, të cilit iu referuan në propozimin për shkarkimin me argumentin se nuk është paraqitur prej tre muajsh në detyrë, nuk mund të zëvendësojë nenin 115 të Kushtetutës ( i cili përcakton se shkarkimi nga Këshilli i Ministrave bëhet për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve). Më tej Veliaj kundërshoti edhe dekretin e Presidentit Bajram Begaj, për zgjedhjet e nëntorit.
Ankimimet e tij bllokojnë mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme për bashkinë e Tiranës, ku sot Gjykata doli me një vendim. Por pa pritur një vendim të Kushtetueses, partitë u bënë gati për të hyrë në garë.
Tashmë PS-ja ka emëruar Ogerta Manastirliun si kandidate për kryetare në Bashkinë e Tiranës dhe organizatore të fushatës, ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Nga ana tjetër edhe Partia Demokratike vendosi që të mbështesë kandidatin e pavarur, Florjan Binaj. Nga ‘Lëvizja Bashkë’ në garë hyri Arlind Qori. Por me vendimin e Gjykatës, kandidatët dhe partitë do të duhet të presin 31 tetorit për të nisur fushatën. Deri në fund të muajit gjithçka është pezull./ZËRI




