TIRANË- Në një seancë maratonë për më shumë se 10 orë, 8 gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk arritën shumicën për të dalë me një vendim 5 me 3, për ankimimin e kryeministrit Edi Rama për pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra. Votat janë ndarë 4 pro dhe 4 kundër dhe si rrjedhojë mbetet në fuqi vendimi i GJKKO për pezullimin nga detyra të Ballukut.
Vendimi final ‘lë pa detyrë’ Ballukun, e cila aktualisht është vetëm një deputete në radhët e socialistëve. Ky vendim i Kushtetueses ka nxitur reagim në radhët e figurave politike, kryesisht nga kampi opozitar dhe jo vetëm.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka reaguar duke drejtuar akzua ndaj kryemistrit Rama, i cili sipas tij, ngriti alibi absurde për të mbrojtur veten dhe Belinda Ballukun. Pas Kushtetueses, Bardhi kërkon nga kreu i Kuvendit, Niko Peleshi, thirrjen e menjëhershme të mbledhjes së Këshillit të Mandave për heqjen e imunitetit të ish.zëvendëskryeministren dhe ish-ministren Belinda Balluku.
“Alibitë tashmë kanë rënë!
Edi Rama ushtroi presion të paprecedentë mbi Gjykatën Kushtetuese dhe ngriti alibi absurde për të mbrojtur veten dhe Belinda Ballukun. Të dyja dështuan! Edi Rama u rrëzua në pretendimin e tij për të bllokuar drejtësinë. Njëlloj do të rrëzohet kushdo që pengon drejtësinë.
Tani, Edi Rama nuk ka më ku të fshihet. Kërkesa e SPAK-ut për arrestimin e Belinda Ballukut pret miratimin nga Kuvendi. I bëj thirrje Kryetarit të Kuvendit të njoftojë menjëherë mbledhje urgjente të hënën të Këshillit të Mandateve dhe përfshirjen të enjten në seancë plenare të kërkesës për dhënien e autorizimit për heqjen e imunitetit për ish-Zëvendëskryeministren dhe ish-ministren Belinda Balluku.
Kuvendi nuk mund të mbajë peshën e përgjegjësisë për vonesën e paprecedent të shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë dhe për pengimin e drejtësisë.
Koha e manovrave ka mbaruar!”, shkruan Bardhi.
Deputeti demokrat Belind Këlliçi është shprehur se vendimi i Kushtetueses ka ardhur falë betejës së vazhdueshme të Partisë Demokratike. Sipas Këlliçit, ky vendim është një hap më afër dretjësisë, ndërsa kryeministri Rama ‘mori goditje dhe sot është dhe ai në bankën e të akuzuarve’.
“Sot u rrëzua qeveria më e korruptuar në Europë!
Gjykata Kushtetuese nuk ja doli të mbrojë të pandehurën Belinda Balluku, kjo falë reagimit qytetar, falë betejës së pandalshme të Partisë Demokratike dhe falë presionit ndërkombëtar.
Edi Rama mori goditje dhe sot është dhe ai në bankën e të akuzuarve!!!
Pasi bëri çdo përpjekje për të mbrojtur aferat e tij, Kryeministri më i korruptuar në Europë mori mesazhin se autokratët që vjedhin e shtypin popullin e tyre, sado të qëndrojnë me forcë mbi ligjin e parimet, një ditë bien!
Vendimi sot i Kushtetueses, me shumë vonesë dhe nën presion, është një hap më afër drejtësisë.
Tanimë, Edi Ramës i ngelet ta mbrojë të pandehurën nga arrestimi.
Nëse rrëzon me votë në Parlament, kërkesën e SPAK, demokratëve, qytetarëve, të gjithëve ne, na lind detyra të rrëzojmë me çdo mjet Edi Ramën!
Të vendosur, me pasion e me dashuri për Shqipërinë, bashkohemi në 10 shkurt, në Bulevard.”, shkruan Këlliçi.
Adriatik Lapaj, kreu i nismës “Shqipëria Bëhet” gjithashtu ka reaguar, teksa shprehet se më këtë vendim, Gjykata Kushtetuese ka arritur të kalojë presionin total të pushtetit të kryeministrit Rama. Lapaj e ka konsideruar një ditë të rëndësishme, ku ‘pandëshkueshmëria ka marrë një goditje fatale’. Sipas Lapajt, qëndrimi i Gjykatës Kushtetuese provoi tentativat e kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave për të penguar drejtësinë.
“U provua nga Gjykata Kushtetuese se Këshilli i Ministrave dhe Edi Rama penguan drejtësinë me veprimet e tyre.
Drejtësia tashmë duhet të shkojë te Edi Rama! Qeveria nuk ka më legjitimitet moral pasi u kthye në zyrë avokatie për Zv. Kryeministren!”, shkruan Lapaj.
Ndërkohë kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, është shprehur se nga sot Balluku nuk do të mund të shkojë dot më në zyrë dhe të vjedhë qytetarët. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Shehaj shprehet se ky në fakt nuk është fundi i pandëshkueshmërisë, sipas tij, kjo do të arrihet vetëm kur të dalë Rama para drejtësisë.
“Më në fund Gjykata Kushtetuese vendosi pezullimin përfundimtar të Belinda Ballukut. Nga sot Belinda Balluku nuk shkon dot më në zyrë, nuk firmos dot më, nuk vjedh dot më qytetarët shqiptarë.
Mund të themi që ky është fundi i pandëshkueshmërisë në Shqipëri? Jo. Tani e ka radhën Edi Rama.
Sepse çdo njeri në Shqipëri e di që në krye të korrupsionit është Edi Rama dhe vetëm me nxjerrjen para drejtësisë të Kryeministrit Edi Rama mund të themi që ka ardhur fundi i pandëshkueshmërisë edhe në Shqipëri”, ka shkruar Shehaj.
Ish-ministri i Drejtësisë, avokati Ylli Manjani ka reaguar gjithashtu lidhur me qëndrimin e fundit të Kushtetueses e cila sipas tij, ka dështuar që të marrë një vendim. Manjani ka sqaruar shkurtimisht vendimin e Kushtetueses, duke theksuar më tej se çështje e imunitetit nuk ka lidhje me këtë gjykim.
“1. Gjykata Kushtetuese ka dështuar të marrë një vendim mbi objektin e kërkesës së bërë. Pra nuk i ka dhënë dot zgjidhje mosmarrëveshjes ndërmjet Qeverisë dhe Drejtësisë.
2. Duke mos qenë në gjendje të marrë vendim, automatikisht kërkesa e bërë quhet e rrëzuar, megjithëse e pagjykuar.
3. Vendimi i ndërmjetëm i pezullimit të vendimit të GJKKO, bie nga fuqia automatikisht sepse ka përfunduar gjykimi.
4. Situata ligjërisht rikthehet në gjendjen që ishte përpara fillimit të gjykimit në Gjykatën Kushtetuese. Pra zonja Balluku mbetet e pezulluar nga detyra sipas vendimit të GJKKO.
5. Çështja e debatit mbi imunitetin e saj nuk ka lidhje me këtë gjykim, por me procedurat dhe vendimmarrjen e Parlamentit, mbi kërkesën e SPAK.”, shkruan Manjani.
Ndërkohë, deri në këto momente, nuk ka ende asnjë reagim as nga kryeministri Edi Rama dhe as nga ish-numri 2, Belinda Balluku./ZËRI




