Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar kabinetin e ri qeveritar të kryesuar nga Albin Kurti. Në kabinetin e ri, Glauk Konjufca është Zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë, ndërsa Fikrim Damka Zëvendëskryeministër për çështje të pakicave dhe bashkëpunim.
Kabineti përfshin gjithsej 21 ministri, mes të cilave Financat (Hekuran Murati), Mbrojtja (Ejup Maqedonci), Shëndetësia (Arben Vitia), Arsimi (Hajrulla Çeku), dhe Kulturë e Turizëm (Saranda Bogujevci).
Gjatë ekspozesë së tij para deputetëve, Kurti prezantoi prioritetet kryesore të qeverisë së re. Ai premtoi një investim prej 1 miliard eurosh në mbrojtje, përfshirë rekrutimin e ushtarëve të rinj, zhvillimin e industrisë ushtarake dhe prodhimin e dronëve luftarakë “Made in Kosova”.
Qeveria e re synon gjithashtu investime të mëdha në energji të ripërtërishme, përmirësim të arsimit, rritje të mbështetjes për punësimin e grave, kujdes ndaj gjyshërve, dhe rritje të pagës minimale. Në shëndetësi, çdo qytetar do të ketë mjek familjar dhe një kontroll vjetor, ndërsa buxheti për barnat esenciale do të arrijë 100 milionë euro.
Kurti bëri një bilanc të mandatit të kaluar, duke theksuar përparimin në ekonomi, forcimin e bizneseve, rritjen e mirëqenies sociale dhe stabilitetin institucional. Ai gjithashtu foli për procesin në Hagë ndaj ish-eprorëve të UÇK-së, duke e cilësuar si një përpjekje që bie ndesh me të vërtetën historike.
Presidentja Vjosa Osmani caktoi Albin Kurtin si mandatar për formimin e qeverisë, ndërsa deputetët e Kuvendit votuan kabinetin e ri, duke shënuar fillimin e një mandati të ri qeverisës në Kosovë.
Kabineti i prezantuar qeveritar:
Kryeministër Albin Kurti
Zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca
Zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë, Donika Gërvalla
Zëvendëskryeministër i tretë për çështje të pakicave dhe bashkëpunim, Fikrim Damka
Ministër i Financave, Hekuran Murati
Ministër për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti
Ministër i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci
Ministër i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla
Ministër i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu
Ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia
Ministër i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku
Ministre e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci
Ministër i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani
Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi
Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli
Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja
Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha
Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari
Ministre e Ekonomisë, Artane Rizvanolli
Ministër për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq
Ministër për Zhvillim Rajonal, Rasim Demiri









