“Ku dallon nga Partia e Punës”? Përjashtimi i Burgijës e Boshkut nga PD ndez akuza të forta: Akt i paburrë e absurd!


"Ku dallon nga Partia e Punës"? Përjashtimi i Burgijës

pd-dritan burgija dhe arlind boshku

TIRANË- Partia Demokratike ka përjashtuar dy anëtarët e saj në Këshillin Bashkiak të Durrësit, Dritan Burgijan dhe Arlind Boshkun. Vendimi mban datën 23 mars dhe është firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i partisë, Flamur Noka.

Në njoftimin zyrtar thuhet se përjashtimi është bërë për shkak të shkeljeve të dispozitave që lidhen me etikën dhe integritetin. Megjithatë, Burgija dhe Boshku do të vijojnë të mbajnë mandatin si anëtarë të Këshillit Bashkiak në Durrës, por jo më nën siglën e Partisë Demokratike.

Ky vendim ka shkaktuar reagime të forta brenda radhëve të opozitës. Ndrec Pjetri, një nga kandidatët më të votuar të listës së hapur të PD në Durrës për zgjedhjet parlamentare, e ka cilësuar përjashtimin si një akt skandaloz. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ai akuzon drejtuesit e kësaj force dhe e krahason partinë me regjimin e kaluar ‘Partia e Punës’. 

“SKANDAL! Partia Demokratike sot ku dallon nga ish Partia e Punës? Përjashton çdo lloj zëri ndryshe. Para ca kohësh përjashtuan Salianjin. Dje Dritan Burgijën dhe Arlind Boshkun. Po nesër???”, shkruan Pjetri.

Në një tjetër postim, ai ngre pikëpyetje mbi administrimin e votave të tij, duke pretenduar se mbështetja e marrë lidhej pikërisht edhe me dy anëtarët e përjashtuar.

“Nëse votat që kam marrë unë i janë shkruar Edi Ramës, kjo qëndron. Nëse i janë shkruar Partisë Demokratike, ky është një mashtrim i ulët. Rreth 5 mijë vota i kam marrë duke pasur mbështetjen e Arlind Boshkut dhe Dritan Burgijës”, shkruan ai.

Reagimet nuk kanë munguar as nga vetë anëtarët e përjashtuar. Dritan Burgija, i cili ishte edhe kreu i grupit të këshilltarëve në Durrës, ka reaguar përmes një postimi në rrjete sociale. Në një deklaratë të gjatë publike, ai e cilëson vendimin si të padrejtë dhe politikisht të motivuar. Teksa thekson të gjithë kontributin e gjatë personal dhe familjar në Partinë Demokratike, Burgija e lidh përjashtimin me qëndrimet e tij kritike brenda partisë, duke theksuar se zërat ndryshe po goditen.

Reagimi i plotë u Burgijës:

Të nderuar demokratë, miq, shokë, bashkëpunëtorë dhe kolegë, që na ka bashkuar ideali demokratik, mendimi i lirë dhe revolta ndaj padrejtësisë.

Kontributi im personal dhe familjar në Partinë Demokratike, si pasardhës i një shtrese të përndjekur, nuk është çështje fjalësh, por qëndrimi. Ky kontribut nuk matet me deklarata, por me praninë në përballje, me rezistencën ndaj padrejtësisë, me sakrificën dhe me besnikërinë ndaj një kauze që nuk është tradhtuar as në ditët më të vështira.

Ky rrugëtim ka nisur herët, që në rini, kur ishim në vijën e parë përballë diktaturës në grahmat e saj të fundit, dhe ka vijuar pa ndërprerje ndër vite: si anëtar, komisioner, numërues, anëtar kryesie, koordinator në zona të caktuara, nënkryetar, kryetar i PD Durrës, anëtar i Këshillit Kombëtar dhe i Këshillit Bashkiak. Kam qenë dhe kam qëndruar aty ku duhej të isha, jo në ditët e lehta, por në momentet e vështira, kur Partia Demokratike kishte nevojë për qëndresë; jo për heshtje, për karakter; jo për servilizëm.

Miq demokratë,

Ne jemi njerëzit e lirisë, të së vërtetës dhe të drejtësisë. Për këto vlera kemi punuar pa kushte dhe për këto vlera u ngritëm në rithemelim. Rithemelimi nuk ishte luks politik, por domosdoshmëri morale dhe historike për të shpëtuar Partinë Demokratike nga zhbërja, kapja dhe deformimi.

Unë jam pjesë e kësaj qëndrese. Kam ngritur zërin, kam folur hapur dhe kam qëndruar krah çdo demokrati të ndershëm për të thënë të vërtetat tona mes nesh, jo për të dëmtuar Partinë Demokratike, por për ta ndrequr atë; jo për ta dobësuar, por për ta kthyer te vlerat, te parimet dhe te dinjiteti i saj. Dhe nuk jam i vetëm në këtë rrugëtim, sepse kjo nuk është beteja e një individi, por e çdo demokrati që refuzon heshtjen, nënshtrimin dhe mashtrimin.

Por pikërisht këtu qëndron edhe problemi! Kjo është vija e kuqe që kanë ngritur kundër nesh çdo kryetar i mbyllur në vetvete dhe çdo servil i pushtetit: të mos flasim, të mos kërkojmë llogari, të mos kërkojmë standarde, të mos kërkojmë garë.

Ndërkohë që ne kërkojmë fitore, ata ofrojnë pazare, kulisa dhe lista të bunkerizuara me akrobaci ligjore.

Ndërkohë që ne kërkojmë hapje, gjithëpërfshirje të kontributeve ndër vite, garë reale, standarde politike, konkurrim të ndershëm, analizë të sinqertë dhe program veprimi; përgjigjja që vjen është shpifja, denigrimi, arroganca dhe në fund përjashtimi. Ky nuk është reagim force, por akt frike. Nuk është vendim politik, por shenjë paniku nga e vërteta.

Kemi të bëjmë me një vendim absurd, arrogant, të pabazë dhe të paburrë, që nuk turpëron ata që u përjashtuan, por ata që e hartuan dhe e firmosën, e që flasin në emër të besës e që vetëm besë nuk kanë. Është një akt jashtë çdo parashikimi statutor, jashtë çdo procedure, pa legjitimitet, pa standard dhe pa dinjitet politik. Një akt qesharak në formë dhe i mjerë në përmbajtje, që zbulon fytyrën e vërtetë të atyre që nuk durojnë mendimin ndryshe, nuk pranojnë garën dhe nuk i besojnë demokratëve.

Ju garantoj se mbetem besnik i demokracisë, qëndrimeve dhe bindjeve të mia, me të njëjtin përkushtim dhe përgjegjësi, sepse askush nuk ka as tagrin dhe as të drejtën morale e politike, të fshijë me firmë, kontributin, sakrificën dhe historinë e askujt në Partinë Demokratike. 

Dritani

Anëtari Arlind Boshku, i cili mban edhe postin e sekretarit të degës së PD në Durrës, gjithashtu ka reaguar publikisht duke e cilësuar vendimin si të padrejtë dhe të pabazë. Në deklaratën e tij, Boshku thekson kontributin 35-vjeçar të familjes së tij në PD dhe rolin aktiv në strukturat e partisë, ndërsa akuzon drejtuesit për mungesë transparence dhe meritokracie. Sipas tij, përjashtimi lidhet me qëndrimet kritike dhe kërkesat për reflektim pas humbjeve, si dhe për përfshirje më të madhe të anëtarësisë në vendimmarrje.

Reagimi i plotë i Boshkut:

Prej 35 vitesh familjarisht kemi kontribuar për Partinë Demokratike.

Kemi qenë aty në çdo betejë: anëtarë komisionesh, pjesë e çdo fushate, drejtues seksionesh e grupseksionesh, nën kryetar dege dhe sot sekretar dege.

Gjithmonë me një parim: pa kërkuar asgjë në këmbim dhe luftë me shpenzimet tona.

Por e vërteta duhet thënë.

Ndërkohë që ne mbulonim fushatat me kontributet tona, drejtues dhe kandidatë i kanë trajtuar këto sakrifica si pronë private pa transparencë, pa përgjegjësi dhe pa asnjë mbështetje reale për strukturat në terren.

Dje morëm një vendim absurd: përjashtimin tonë nga Këshilli i PD-së.

Arsyeja? Një drekë me Ervin Salianjin.
E vërteta është tjetër.

Prej muajsh kemi kërkuar reflektim për humbjet e njëpasnjëshme dhe vendosjen e rregullave të qarta për meritokracinë dhe promovimin brenda partisë.

Kemi kërkuar diçka elementare: që anëtarët të vendosin për lidershipin, jo lidershipi të përzgjedhë anëtarët sipas interesit për të mbajtur peng partinë.

Shpifjet se ne nuk jemi më me PD janë qesharake.

Ne kemi qenë dhe jemi në terren, në fushatë, dhe në çdo përballje politike.

Ajo që nuk pranojmë është heshtja përballë dështimit dhe abuzimit.

Për më tepër, është e papranueshme që para edhe pas zgjedhjeve të kërkohen “kontribute” financiare pa asnjë transparencë apo dokumentacion sic Nul Moka kërkon.

Partia nuk mund të trajtohet si biznes privat dhe as si mjet për luksin e disa individëve. Ne nuk do paguajme dhe veshjet miliona lek apo luksin e shfrenuar te drejtuesve te opozites qe duhet te kishin kulmin e modestise per shkak te varferise qe kane demokratet te cilet per shkak te gabimeve te ketyre kane 13 vjet ne Opozite!

Partia Demokratike është e demokratëve, jo e një grupi që kërkon ta mbajë të uzurpuar.
Investim tim në PD nuk e heq dot askush as ti o Nul Lepurush.

Burgija dhe Boshku i kanë dhënë mbështetje ish-deputetit Ervin Salianji, në takimet që ka zhvilluar në Durrës, në një kohë kur është caktuar edhe data e garës për kreun e PD-së, më 23 maj.

Përjashtimi vjen në prag të zgjedhjeve për kreun e Partisë Demokratike, ku Sali Berisha ka konfirmuar se do të jetë kandidat për kryetar, në zgjedhjet e 23 majit. Nga ana tjetër edhe Salianji ka deklaruar se do të jetë pjesë e garës së 23 majit për kreun e PD./ZËRI

Poll



Source link

Scroll to Top