Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës njoftoi se pjesëmarrja në votime për zgjedhjet lokale deri në orën 11:00 ishte 7.84%.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, deklaroi se nuk është raportuar për ndonjë parregullsi që mund të rrezikonte votimin ose mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Ne lidhje me refuzimin e akreditimeve për disa medie (RTS dhe Tanjug), anëtari i KQZ Sami Kurteshi ka saktësuar se kjo gjë është bërë për shkak se në kërkesat e tyre ka pasur parregullsi dhe në disa raste kërkesat nuk njihnin shtetin e Kosovës.
Sipas të dhënave preliminare të përpunuara nga rreth 94% e vendvotimeve, deri në orën 11:00 kanë votuar 158,691 qytetarë, apo 7.84% e numrit të përgjithshëm të votuesve, që është 2,025,105.
Në krahasim me zgjedhjet lokale të vitit 2021, pjesëmarrja në këtë orë është pak më e ulët. Atëherë, deri në orën 11:00 kishin votuar 152 mijë qytetarë, që përbënte 8.2% të trupës votuese prej 1,885,448 votuesve.
KQZ ka bërë të ditur se të dhënat e detajuara për pjesëmarrjen e votuesve sipas komunave dhe qendrave të votimit mund të gjenden në ueb-faqen zyrtare të institucionit.
Për më tepër, KQZ ka paralajmëruar se në orën 13:00 do të përditësohen të dhënat për pjesëmarrjen e qytetarëve në votime, ndërsa konferenca e tretë për media nga ky institucion do të mbahet në orën 15:30.









