Kritikat e Albin Kurtit për protestën në Tiranë për lirimin e liderëve të UÇK, reagon Edi Rama


Kritikat e Albin Kurtit për protestën në Tiranë për lirimin e liderëve të UÇK, reagon Edi Rama

Oct 16, 2025 | 9:52






























Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas kritikave të Albin Kurit, në lidhje me qëndrimin e Ramës disa vite më parë për ngritjen e Gjykatës Speciale.

kurti-rama-780x439-1-433x300

Kreu i qeverisë kujtoi se Gjykata Speciale u ngrit për çështjen e trafikut të organeve, dhe jo si tha ai, “të marrë peng Presidentin e Republikës së Kosovës”.

“Lëvizja më paska kushtuar një çarçaf të gjatë, ku shkruan se para 10 vitesh unë paskam qenë pro, kurse ajo paska qenë kundër Gjykatës Speciale… Ndërkohë unë e kam denoncuar farsën ndaj Hashim Thaçit e të tjerëve kudo dhe kurdo që ka qenë rasti,” u shkruan Rama.

LEXO EDHE: Protesta në Tiranë për lirimin e liderëve të UÇK, Albin Kurti thumbon Ramën: Duhet të tregojë pendesë! Erdhi me helikopter të bindte palët të votonin pro Gjykatës Speciale

Rama gjithashtu kritikoi qëndrimet e kaluara të Vetëvendosjes ndaj figurës së Hashim Thaçit, duke nënvizuar se “atëherë Lëvizja nuk njihte as himnin e Kosovës e jo më pafajësinë e Hashim Thaçit, të cilin do ta donte përjetësisht në Hagë”.

Sa i përket protestës “Drejtësi për Çlirimtarët”, e paralajmëruar në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, Rama sqaroi se nuk është as organizator dhe as folës, por e mbështet me gjithë zemër.

Screenshot_10

Reagimi i Edi Ramës: 

Lëvizja Vetëvendosje më paska kushtuar një çarçaf të gjatë, ku shkruan se përpara 10 vjetësh unë paskam qenë pro kurse ajo paska qenë kundër Gjykatës Speciale… Ndërkohë unë e kam denoncuar farsën ndaj Hashim Thaçit e të tjerëve kurdo e kudo ka qenë rasti a nevoja, ndërsa Lëvizja dihet se sa ka lëvizur në atë drejtim. Por unë s’jam në asnjë lloj gare me Lëvizjen dhe më vjen keq që Lëvizja i ngatërron marrëdhëniet institucionale të Kosovës me Shqipërinë në çorbën e balotazheve komunale, ndërsa për qëndrimet e para 10 vjetëve – kur ajo nuk njihte as himnin e Kosovës e jo më pafajësinë e Hashim Thaçit, të cilin do ta donte përjetësisht në Hagë – i kujtoj Lëvizjes se Gjykata Speciale u ngrit për trafikun e organeve, jo për të marrë peng Presidentin e Republikës së Kosovës. Dhe e fundit, unë as nuk jam organizator e as nuk jam folës i protestës gjithëkombëtare “Drejtësi për Çlirimtarët”, të cilën e mbështes megjithë zemër e do t’i bashkohesha si pjesëmarrës i thjeshtë, nëse nuk do të isha i vetëdijshëm se çdo politizim me dashje ose jo i asaj nisme, do të dëmtonte qëllimin dhe popullaritetin e saj.

Çfarë shkroi Albin Kurti përmes Lëvizjes Vetëvendosja

Albin Kurti, në postimin në faqen zyrtare të Lëvizja Vetëvendosje, thekson rolin e kryeministrit Rama duke shtuar se kreu i qeverisë shqiptare ka shkuar në Kosovë në vizitë emergjente me helikopter “për të bindur palët këtu që të votonin pro themelimit të kësaj Gjykate”.

Ndaj shton Kurti, ai duhet të tregojë pendesë lidhur me qëndrimet, sipas tij, të gabuara që ka mbajtur në të kaluarën.

“Për ecjen tonë të sinqertë përpara si shtet e si komb duhet me patjetër të reflektojmë mbi qëndrimet tona karshi kësaj Gjykate në kohën kur u themelua. Reflektimi nuk është gabim, por në këtë drejtim shumë nga ata që sot dalin në kundërshtim me Gjykatën Speciale, dje ishin lobuesit më të mëdhenj për themelimin e saj”, shkruhet në postim.

Duke shtuar se: “Para se të protestojnë, këta aktorë dhe politikanë duhet të tregojnë të paktën një minimum pendese për qëndrimet e tyre të gabuara në të kaluarën. Një shembull i qartë është vet Kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama, i cili madje kishte ardhur në Kosovë në vizitë emergjente me helikopter për të bindur palët këtu që të votonin pro themelimit të kësaj Gjykate.”

Postimi i plotë:

Lëvizja VETËVENDOSJE! qëndron në krah të të gjithë qytetarëve që protestojnë e kërkojnë drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Tiranë. Qëndrimi ynë për Gjykatën Speciale mbetet i pandryshuar.

Kujtojmë se Gjykata Speciale nuk erdhi vetvetiu, por nisi që në vitin 2008 nga një rezolutë e propozuar në Këshillin e Evropës nga kryesuesi i deputetëve të Federatës Ruse në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Konstantin Kosachev, por që u miratua si rezolutë me propozim të senatorit Dick Marty në vitin 2011.

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë dhe e domosdoshme. Në anën tjetër, pretendimi i Prokurorisë se brenda UÇK-së ka ekzistuar një grup kriminal është i pasaktë dhe i padrejtë. UÇK-ja nuk ka qenë ndërmarrje kriminale dhe nuk ka pasur struktura të tilla. Përkundrazi, për krime të luftës duhet të gjykohet Serbia, ajo është shkaktarja e gjenocidit dhe krimeve masive e sistematike ndaj popullit të Kosovës.

Mirëpo, për ecjen tonë të sinqertë përpara si shtet e si komb duhet me patjetër të reflektojmë mbi qëndrimet tona karshi kësaj Gjykate në kohën kur u themelua. Reflektimi nuk është gabim, por në këtë drejtim shumë nga ata që sot dalin në kundërshtim me Gjykatën Speciale, dje ishin lobuesit më të mëdhenj për themelimin e saj. Para se të protestojnë, këta aktorë dhe politikanë duhet të tregojnë të paktën një minimum pendese për qëndrimet e tyre të gabuara në të kaluarën. Një shembull i qartë është vet Kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama, i cili madje kishte ardhur në Kosovë në vizitë emergjente me helikopter për të bindur palët këtu që të votonin pro themelimit të kësaj Gjykate.

Por, Lëvizja VETËVENDOSJE!, si atëherë më 2015, si sot më 2025, është e palëkundur se drejtësia duhet të ndriçojë të vërtetën dhe e vërteta nuk ka si të jetë ndryshe veçse në anën e luftës dhe përpjekjes së paepur të popullit të Kosovës për çlirim e pavarësi sikur popujt e tjerë.

Në anën tjetër, institucionet e Shqipërisë si shtet anëtar i OKB-së, i Këshillit të Evropës, i OSBE-së, i NATO-s e shumë pranë Bashkimit Evropian, kanë përgjegjësi dhe mundësi që këtë çështje ta ngrejnë në këto forume ndërkombëtare, aty ku flitet e vendoset për drejtësi, e jo në sheshin “Skënderbe” në Tiranë.

Po ashtu shtetet mike të Kosovës që tashmë gëzojnë anëtarësi në këto organizata, duhet të bëjnë shumë më tepër për të mbrojtur të vërtetën e luftës sonë dhe për të çuar përpara drejtësinë. Njëjtë siç duhet bërë më shumë në këto forume për njohjen e gjenocidit dhe gjykimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës që Serbia i ka kryer në Kosovë e në mbarë Ballkanin.

© Panorama.al



Te lidhura














 














Source link

Scroll to Top