Kremtohet Krishtlindja! Krerët e shtetit me urime të ngrohta: Le të jetë kjo ditë burim paqeje dhe gëzimi


Kremtohet Krishtlindja! Krerët e shtetit me urime të ngrohta: Le

Edi Rama, Sali Berisha dhe Bajram Begaj

TIRANË-Besimtarët e krishterë kremtojnë sot festën e Krishtlindjes, një nga festat më të rëndësishme në kalendarin fetar. Krerët më të lartë të shtetit dhe politikës uruan besimtarët për Krishtlindje. Presidenti, Bajram Begaj uroi të gjithë qytetarët që e festojnë përmes një postimi në X.

Begaj uron që kjo ditë të jetë burim paqeje dhe gëzimi, si dhe një mundësi për të kaluar çaste të lumtura me njerëzit e dashur.

“Krishtlindje të gëzuara, plot shpresë e begati për të gjithë miqtë tanë të krishterë! Le të jetë kjo Krishtlindje burim paqeje dhe gëzimi, si dhe një mundësi për të kaluar çaste të lumtura me njerëzit tuaj më të dashur”, shkruan Begaj.

Ndërkohë edhe Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale me një imazh të shkëputur nga frontespici i veprës monumentale të Pjetër Bogdanit, “Çeta e Profetëve”, uroi të gjithë besimtarët që e festojnë.

“Mirëmëngjes dhe me këtë imazh të shkëputur nga frontespici i veprës monumentale të Pjetër Bogdanit, “Çeta e Profetëve”, ju uroj Gëzuar Krishtlindjen,”-shprehet kreu i qeverisë.

Edhe kreu i PD-së Sali Berisha me anë të një postimi në rrjetet sociale ka uruar besimtarët e krishterë për festën e Krishtlindjes. Berisha shkruan se kjo natë është më magjepsësja për të gjithë besimtarët, pasi lind Krishti mbret.

“Gëzuar Krishtlindjet! Të dashur miq, sonte është nata e lindjes së Hyjit, Krishtit Mbret, nata më magjepse për të gjithë besimtarët e krishterë në Shqipëri dhe mbarë botën. Prandaj le të urojmë ne së bashku përzemërsisht miqtë tanë të krishterë kudo që janë: Gëzuar Krishtlindjet, magjia e kësaj nate le të shndërrohet në mirësi, gëzime, shpresë, besim e forcë për çdo njerin prej jush, për të gjithë besimtarët e Zotit, për mbarë shqiptarët. Krishti Mbret ju bekoftë! Gëzuar!,”-shkruan Berisha.

Poll



Source link

Scroll to Top