TIRANË- Kryeministri Edi Rama gjatë takimit në njësinë numër 2 në Tiranë, njoftoi programe të reja mbështetëse, përfshirë kredi për punonjësit e shtetit për të marrë shtëpi. Po ashtu, Rama tha se do të nisë një program “Dyfisho sipërmarrjen tënde” me kredi për ata që kanë një biznes të vogël dhe kanë një plan të besueshëm për ta rritur.
Teksa u ndal për Paketën e Maleve, Rama deklaroi se është për ata që kanë tokë dhe shtëpi në fshat dhe që duan ta kthejnë në agroturizëm. Më tej, ai shtoi se çdo kryebashkiak që do të rikandidojë duhet të ketë të paktën 10 kontrata në bashkinë e tij.
“Po ashtu, kemi filluar me kreditë për punonjësit e policisë, për mësuesit, për mjekët dhe infermierët, kredi që garantohen nga shteti për të marrë shtëpi. Janë hapat e parë, por janë hapa që tregojnë se po krijojmë mundësitë. Do të fillojmë një program të ri, që quhet “dyfisho ndërmarrjen tënde”, i cili do të mbështesë me kredi të garantuara nga shteti të gjithë ata që kanë një biznes të vogël dhe që kanë një plan të besueshëm për të arritur, që kanë një ndërmarrje të vogël dhe të mesme dhe që kanë një plan për të arritur, por që u duhet financim, edhe këtë do ta lançojmë së shpejti. Ashtu sikundër kemi lançuar Paketën e Maleve, e cila vlen për të gjithë ata të cilët kanë një tokë, kanë një shtëpi të vjetër jashtë qytetit, në fshat, dhe që duan ta kthejnë në një agroturizëm, në një bujtinë, apo duan të bëjnë një fermë, e kështu me radhë. Dhe ajo po ecën, kemi shumë aplikime dhe kemi vendosur një normë, një objektiv që të gjithë ata kryetarë bashkish që duan të rikandidojnë, nuk mund të rikandidojnë, edhe sikur të kenë bërë mrekullira, nëse nuk i kanë vënë në rrugë me firmë dhe me vulë, jo me llafe, 10 kontrata nga paketa e maleve minimumi, 10 kontrata, 10 investime të tilla. Për 55 bashki që kemi ne, nuk janë pak dhe pastaj, në momentin që do të hapet kjo rrugë, të tjerat do të vijnë më lehtë”, tha Rama./ZËRI



